image "S'është problem për një lëndë”, DKA në Prizren arsyeton humbjen e 20 orëve të matematikës

Arsim

“S’është problem për një lëndë”, DKA në Prizren arsyeton humbjen e 20 orëve të matematikës

news image

Viti i ri shkollor me prani fizike nuk nisi siç duhet në shumë shkolla fillore e të mesme të vendit. Pandemia shkaktoi humbje të mëdha për nxënësit, të cilët edhe pas fillimit të procesit mësimor, po humbin orë të tëra, në mungesë të mësimdhënësve, shkruan Gazeta Sinjali.

E një problem të tillë e kanë edhe nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të në shkollën “Hysen Rexhepi” në Prizren. Një prind është ankuar në Gazetën Sinjali se në këtë shkollë po mungon arsimtari i matematikës, qysh nga fillimi i vitit shkollor. Por këtë problem nuk ka arritur ta rregullojë Drejtoria e Arsimit në Prizren, madje orët e humbura janë arsyetuar.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me Drejtorinë e Arsimit në Prizren dhe me drejtorin e shkollës, për të marrë sqarime se çfarë ka ndodhur.

Drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi- Vezgishi, i ka arsyetuar 20 orët e humbura duke thënë se për një lëndë nuk është problem.

Çështje të tilla, që ndërlidhen direkt me mbarëvajtjen e mësimit, për drejtoreshën Thaçi – Vezgishi, çuditërisht nuk janë probleme të mëdha.

Prej javës së ardhshme do të shkojnë të gjithë arsimtarët nëpër orë, kështu që në rregull jemi, nuk ka problem. Për një lëndë nuk është problem se mbulohen orët, ka zëvendësime. Unë jam drejtoreshë e arsimit po unë i kam 58 shkolla edhe une di çka më raportojnë drejtorët”, ka thënë ajo.

Për këtë problem, Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës, Maxhun Krasniqi, i cili ka thënë se kanë dërguar kërkesë për arsimtarët që mungojnë.

“Na i çojmë më herët. Ne nuk hapim konkurs në shkollë, ne i çojmë kërkesat tona, ndërsa komuna i shpall dhe e bën procesin. Është në konkurs norma edhe është në fund të procesit. Sot ose nesër përfundon konkursi, prej javës tjetër e kemi arsimtarin”, ka thënë ai për Sinjalin.

Edhe për Krasniqin, ky nuk duket problem i madh, madje ai thotë se mungesa e arsmitarit nuk është “kaos i madh”.

Nuk është kaos i madh qysh po mendoni ju, nuk janë bë një muaj ose dy, është punë e një ose dy ditë”, ka thënë ai.

Ndërsa prindi (emër i njohur për redaksinë) ka thënë se është shumë i shqetësuar që fëmiu i tij po i humb orët e matematikës. Madje ai ka thënë që mungesa e tillë është rezultat i konkurseve.

Qe 2 muaj konkurset janë mbyllë nga DKA dhe nuk kanë hapë as lista kush ka sa pikë i ka bërë. Jo nuk mbahen orët fare. Janë duke bërë kërdi me konkurse edhe për mësimdhënës klasor“, ka thënë ai.

/GazetaSinjali/