image Serwer: Grenell nuk është një person serioz në Washingtonin e sotëm, injorojeni atë

Kosovë

Serwer: Grenell nuk është një person serioz në Washingtonin e sotëm, injorojeni atë

news image

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Administrata Biden duhet të ndihmojë Kosovën që ta sigurojë ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.

Dhe këtë SHBA duhet ta bëjë duke u angazhuar në bindjen e Rusisë që ta lejojë. Por, për të arritur drejt këtij qëllimi dhe për të hartuar një strategji ndaj Kosovës, Serwer tha se SHBA dhe BE duhet të kenë një bashkëpunim të mirëfilltë.

E para dhe kryesorja është që të vendosë qëllimet dhe strategjinë për arritjen e tyre në koordinim me BE-në. Do të duhet gjithashtu të bindë Rusinë që të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë ai.

Profesori i universitetit “John Hopkins” është i mendimit që edhe Bashkimi Europian duhet të luajë rol konkret ndaj Kosovës.

Bashkimi Europian ka tri role: Të jetë thirrës i dialogut, të jetë siguruesi i karotave dhe shkopinjve dhe të jetë destinacioni përfundimtar për Serbinë dhe Kosovën. BE gjithashtu duhet të bashkëpunojë me SHBA-në që të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu”, tha Serwer.

Serwer është kundër një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që do ta cenonte shtetësinë e Kosovës, por ai ka një propozim të ri: edhe në këtë çështje Kosova duhet ta përdorë reciprocitetin, duke kërkuar krijimin e një mekanizmi të tillë edhe në Serbi.

“Unë do të favorizoja një Asociacion që është në përputhje me kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, që do të thotë se nuk ka kompetenca ekzekutive. Unë gjithashtu mendoj se duhet të zbatohet parimi i reciprocitetit: çdo Asociacion brenda Kosovës duhet të ketë një të tillë si reflektim brenda Serbisë, me të njëjtat fuqi. Pra, nëse Kosova pritet të bëjë diçka, duhet të kërkohet edhe nga Serbia”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Analisti amerikan foli edhe për ish-emisarin amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe ‘cicërimat’ e tij në Twitter kundër fituesit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Albin Kurtit, të cilin e akuzoi edhe për antiamerikanizëm.

Për bashkëkombësin e tij, që para pak kohësh kishte pushtet duke qenë edhe drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Serwer rekomandon që ai thjesht të injorohet.

Zotëri Grenell nuk është një person serioz ose dikush me peshë në Washingtonin e sotëm. Injorojeni atë!”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/