image Serwer: Asociacioni për njohje, Serbia s’është e gatshme

Politikë

Serwer: Asociacioni për njohje, Serbia s’është e gatshme

news image

Dy analistë amerikanë thonë se duhen ndërmarrë hapa për të qetësuar tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë njohësit me përvojë të marrëdhënieve mes dy vendeve, Daniel Serwer dhe David Kanin thonë për Zërin e Amerikës se nuk ka zgjidhje të qarta dhe të lehta për ta realizuar një gjë të tillë.

Ata thonë gjithashtu se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duhet parë në kontekstin e përgjithshëm të një zgjidhjeje mes dy vendeve.

Analistët thonë se nuk ka zgjidhje të lehta apo të qarta për tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës. Daniel Serwer, studiues në Institutin për Politikë të Jashtme dhe profesor në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se duhen ndërmarrë hapa për zbutjen e situatës.

“Bllokadat në veri duhet të hiqen. Duhet bërë diçka për t’i vënë individët në veri para përgjegjësisë për atë përshkallëzim. Mendoj se Serbia duhet të zbusë retorikën e saj, veçanërisht atë për vendosjen e trupave serbe në Kosovë. Është një propozim indinjues”, thotë ai.

Ndërsa angazhimi diplomatik i Perëndimit është intensifikuar, Serwer thotë se Uashingtoni duhet të heqë dorë nga qasja për t’u bërë presion të dyja palëve dhe të bëhet shumë më i ashpër me Beogradin

“Serbia ka zgjedhur njërën anë. Unë nuk besoj se ajo po ulet në dy apo tre karrige. Ajo është ulur në një karrige, që unë e quaj të Lindjes, në anën e Kinës dhe Rusisë, por amerikanët nuk po pranojnë që Beogradi ka zgjedhur këtë anë”, thotë ai.

Prof. Serwer thotë se nëse Uashingtoni është realist për këto qëndrime, do të kishte mundësi të ushtronte më shumë ndikim.

David Kanin, ish-analist i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” thotë se tensionet do të vazhdojnë përsa kohë statusi i Kosovës mbetet i pazgjidhur. Ai thotë se me koncepte si normalizimi, perëndimi nënkupton konflikt të ngrirë.

“Më duket se është një përpjekje për t’i bërë të dyja palët të ruajnë qetësinë, që çfarëdo që të ndodhë, duke pasur parasysh mosmarrëveshjen për statusin, për sa kohë që të dyja palët nuk krijojnë destabilitet dhe tension të menjëhershëm, atëherë Perëndimi mund të fokusohet në çështje të tjera”.

Edhe planin franko-gjerman, Kanin e sheh në këtë dritë, duke thënë se nuk do të zgjidhte asgjë, nëse nuk e përcakton statusin.

“Ky propozim veçse do ta ngrinte çështjen në mënyrë të tillë që t’u lejonte fuqive më të mëdha të merren me çështje të tjera”.

/GazetaSinjali/