COVID-19

Të infektuar

5118

Të shëruar

2370

Të vdekur

108

Skandaloze/ Serbia pushton shkollën “Fazli Grajçevci”, poshtëron liderët dhe rendin kushtetues

news image

Serbia ka arritur të shtrijë dhe forcojë rrënjët në mes të Kosovës, duke provokuar dhe poshtëruar shtetin e Kosovës dhe rendin e saj kushtetues.

Në fshatin Palaj siç njihet nga serbët Cërkvena Vodicë të Obiliqit,  Serbia e papenguar nga askush, ka ngritur sistemin e arsimit paralel, shkruan Gazeta Sinjali.

Në shkollën e fshatit që mban emrin e atdhetarit dhe ideologut të bashkimit kombëtar, Fazli Grajçevci i cili kishte vdekur nga torturat në burgjet serbe, ka lëshuar shtat shteti i Serbisë.

Në këtë objekt shkollor ku mësojnë në dy ndërrime shqiptarë e serbë, për ironi, brenda ditës “ndërrohen” dy shkolla dhe dy shtete.

Paradite, mësojnë nxënësit serbë në të ashtuquajturën “Krahinë Autonome të Kosovës dhe Metohisë në kuadër të Republikës së Serbisë” në shkollën e titulluar “Dositej Obradoviq” ndërsa pasdite, nxënësit shqiptarë të Republikës së Kosovës në shkollën me emrin “Fazli Grajçevci”, shkruan Gazeta Sinjali.   

Personeli serb i kësaj shkolle, i papenguar nga askush, po punon me planprogram të Serbisë duke lëshuar dokumente dhe vula të Republikës së Serbisë të shkruara në cirilicë.

Gazeta Sinjali ka arritur që përmes sinjalizuesve të siguroj dëshmi (shih më poshtë) që vërtetojnë këtë gjendje absurde brenda shtetit të Kosovës.

Ky provokim i shtetit serb, i cili po e cenon rëndë rendin kushtetues dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës i ka zënë në gjumë autoritetet e Republikës së Kosovës.

Përkundër motos “100 përqind shtet” të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, të cilën nuk po e lëshon nga goja, si shenjë mburrjeje me politikat e tij ndaj shtetit të Serbisë, pikërisht gjatë qeverisjes së tij, shteti serb poshtëron atë dhe shtetin e Kosovës.

Përderisa liderët kosovarë po ngarendin për vota në fushatë, Serbia po i pushton shkollat e Republikës së Kosovës duke e cenuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Për më keq, kjo gjendje po tolerohet nga drejtuesit e shtetit të cilët e kishin shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin