Serbët e veriut të Kosovës, të cilët kanë braktisur institucionet e Kosovës, vazhdojnë të nënshkruajnë kontratat e ofruara nga shteti i Serbisë.
Në këto kontrata theksohet se kryerësi i punës merr përsipër të kryejë punën për Organin e përkohshëm dhe Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, për “mbështetje të komunitetit serb” në veri të Kosovës.
Në kontratën mbi vepër thuhet se kryerësi i punëve do t’i kryejë ato në përputhje me “urdhrin dhe nevojën e treguar”. Megjithatë, nuk specifikohet se cilat punë do të jenë ato.
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes se çfarë nënkupton “kryerja e punëve për mbështetje të komunitetin serb”.
Gjithashtu nuk ka pasur sqarime se çfarë do të thotë “kontratë për angazhim të posaçëm pune”, duke pasur parasysh se një kontratë e tillë nuk ekziston në Ligjin e punës në Serbi
Në anën tjetër, legjislacioni i Kosovës e njeh “kontratën për detyrë të veçantë”, e cila lidhet për më së shumti 120 ditë gjatë vitit dhe kjo kontratë nuk parasheh, ndër të tjera, të drejtën për pushime.
Sipas rregullores në Serbi, kontrata mbi vepër e nënshkruar nga punëtorët, lidhet me qëllim të kryerjes së punëve që janë jashtë veprimtarisë së punëdhënësit, ndërkaq punëtori nuk i ka të drejtat e njëjta sikurse të punësuarit, ndër të tjera, kontrata nuk parashikon të drejtën e pushimeve vjetore dhe pushimit mjekësor.
Nënshkrimi i kontratës nënkupton që nënshkruesi do të marrë pagën për muajin nëntor në sistemin e Serbisë, në kuadër të institucioneve paralele – Organeve të përkohshme të katër komunave në veri të Kosovës.
Si u arrit në këtë pikë?
Përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës pas shkarkimit të drejtorit të policisë për rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq për shkak të refuzimit të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave.
Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës. Këto targa është dashur të zëvendësohen me ato që kanë mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës).
Serbët nga veriu i Kosovës dhe Beogradi zyrtar kundërshtojnë riregjistrimin e targave në RKS dhe kërkojnë targa KS, të cilat konsiderojnë neutrale ndaj statusit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 9 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, do të punësohen në organet shtetërore të Serbisë.
“Asnjë nga ata 3.500 njerëz nuk do të jetë në rrugë. Ne do të kujdesemi për të gjithë”, tha Vuçiq asokohe, raporton REL.
Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë njoftoi, më 17 nëntor, se serbët që kanë braktisur institucionet e Kosovës, të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Kosovës, tani do t’i marrin të gjitha nga shteti i Serbisë.
Siç tha Vuçiq në TV Pink, më 6 nëntor, kjo do t’i kushtojë shtetit nga 50 deri në 60 milionë euro.
Zyra për Kosovën nuk i është përgjigjur pyetjes se nga cilat mjete janë ndarë këto para.