Serbët kanë vazhduar të ndërtojnë shtëpi në lagjet shqiptare në veri të Mitrovicës me gjithë kundërshtimin e shqiptarëve. Në lagjen “Kroi i Vitakut” synohet të sillen serbë, të cilët nuk kanë jetuar asnjëherë në atë pjesë, ndërkohë që shqiptarëve nuk u është lejuar t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura e të rrënuara gjatë luftës. Qeveria e Kosovës me projekt për rindërtimin e 300 shtëpive në veri të Mitrovicës.
Në lagjet veriore të Kosovës me shumicë të popullatës shqiptare ka vazhduar ndërtimi i shtëpive për serbët. Administrata Komunale e Mitrovicës së Veriut u ka lejuar serbëve të ndërtojnë shtëpi në atë pjesë të Mitrovicës, sidomos në lagjen “Kroi i Vitakut”, derisa shqiptarët nuk mund të marrin leje për rindërtimin e shtëpive të tyre.
Rreth 300 shtëpi të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës ende janë gërmadha, pasi ndërtimi i shtëpive nuk lejohet nga Komuna Veriore e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Shumë shqiptarë të lagjeve veriore, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në vitin 2000, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të qytetit të Mitrovicës, në kushte të rënda të banimit. Shqiptarët e Mitrovicës së Veriut shprehen të shqetësuar për shkak të ndërtimit të shtëpive për serbët, duke siguruar se shtëpitë janë duke u ndërtuar për serbët që asnjëherë nuk kanë jetuar në atë pjesë.
Në lagjen “Kroi i Vitakut”, ku janë intensifikuar ndërtimet për serbët, Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka lejuar asnjë shqiptar ta rindërtojë shtëpinë ose të ndërtojë shtëpi të re në pronën e vet.