image Serbët që u larguan nga institucionet e Kosovës fillojnë nënshkrimin e kontratave, do të paguhen nga Serbia  

Politikë

Serbët që u larguan nga institucionet e Kosovës fillojnë nënshkrimin e kontratave, do të paguhen nga Serbia  

news image

Zyrtarët serbë të Veriut që braktisën institucionet e Republikës së Kosovës, sot kanë nisur t’i nënshkruajnë kontratat me institucionet e Serbisë të cilët do t’ia paguajnë pagat.

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, njofton se në katër komunat e veriut të Kosovës filloi sot nënshkrimi i kontratave ndërmjet shtetit të Serbisë përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe serbëve që u larguan nga institucionet e Prishtinës.

“Në këtë mënyrë, premtimin që iu dha popullit serbë në Kosovë që dolën nga institucionet, e realizoi presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, që shteti do të kujdeset për secilin prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahjen e shtetit serbë”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se me këto kontrata serbët që janë larguar nga institucionet, do të kenë rregulluar të gjitha obligimet nga marrëdhëniet punë-juridike, pensionale, sigurimet shëndetësore e të tjera.

“Prandaj, të gjitha të ardhurat që i kanë marrë në sistemin e Prishtinës, tani do t’i kenë nga vendi i tyre Serbia. Në këtë mënyrë shteti ka dërguar mesazh të qartë se njerëzit tanë që përfaqësojnë rezistencën, qëndrimin dhe mbijetesën në Kosovë, do të mbrohen dhe kujdesen për ata”, thuhet në njoftimin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

/GazetaSinjali/