Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka konfirmuar se VV ka ofruar nënshkrimet për shpërbërjen e Kuvendit. Ka thënë se njëjtë do të duhej të veprojnë edhe partitë tjera që janë shprehur pro zgjedhjeve të reja. Gjatë një bisede për Sinjalin, Selimi flet edhe për shkresën zyrtare të presidentit Thaçi, drejtuar Kadri Veselit për ta propozuar kandidatin e ri për formimin e qeverisë.
Shkresa zyrtare e presidentit Hashim Thaçi te bartësi i koalicionit fitues të zgjedhjeve të vitit 2017, Kadri Veselit, përmes së cilës u ka kërkuar që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës, po kundërshtohet fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në një bisedë për gazetën Sinjali, Rexhep Selimi porosit Thaçin të mos manipulojë, por t’i shpallë zgjedhjet e reja.
“Prandaj, Thaçi nuk duhet të kalkulojë e as të manipulojë me çfarëdo varianti tjetër përveç që t’i shpallë zgjedhjet e reja parlamentare”, tha ai.
Selimi thekson se Kuvendi duhet të shpërbëhet sa më shpejt. Ai konfirmon për Sinjalin se deputetët e VV-së i kanë ofruar nënshkrimet për shpërbërjen e Kuvendit dhe pret që njejtë të veprojnë edhe partitë tjera.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të ditur publikisht qëndrimin e saj se është e gatshme dhe do të veprojë që sa me shpejt Kosova të shkojë në zgjedhje të reja. Ashtu siç kemi kërkuar në vazhdimësi zgjedhje të parakohshme, aq më tepër tani kur kryeministri ka dhënë dorëheqje, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje. Ne jemi të gatshëm dhe kemi ofruar nënshkrimet dhe votat tona që Kuvendi të vetë-shpërndahet”, tha Selimi për gazetën online Sinjali.
Tutje, Selimi tha qe VV pret që partitë politike të veprojnë në përputhje me deklarimet që i kanë dhënë për shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja. “Rikujtojmë se të gjitha subjektet politike, pa përjashtim pozitë apo opozitë, janë deklaruar se janë të gatshme për zgjedhje”, shtoi ai.
Selimi pret që nga java e ardhshme të fillohet bashkëpunimi me subjektet parlamentare për thirrjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit.
“Po presim që në javën e ardhshme qoftë nga dita e parë e javës do të hyjmë të fillojmë me bashkëveprim sidomos me subjektet parlamentare opozitare që t’i kryejnë procedurat e thirrjes së seancës për shpërndareje të legjilaturës së gjashtë”, përfundoi Selimi.
Aktualisht, Kosova është pa kryeministër. Ditë më parë Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit për shkak të ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale.
Kundër shkresës së Thaçit është shprehur edhe AAK-ja.
Partia e Albin Kurtit vazhdimisht kanë kërkuar rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”, tani kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje, nga kjo parti theksojnë se s’ka arsye të vonohen zgjedhjet./Sinjali/