Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se para se Lëvizja Vetëvendosje t’i përgjigjet ofertës së Anton Qunit, kësaj oferte iu përgjigj Agim Veliu, i cili tha së Quni nuk ka autorizim të flasë në emër të LDK-së.
Në këtë situatë, Selimi tha se nëse LDK-ja dëshiron të diskutojë apo të gjejë një zgjidhje, e ka vetëm një shancë dhe ajo është duke e votuar sot kundër mocionin, shkruan Gazeta Sinjali.
“Pra, para se të përgjigjemi ne në iniciativën e tij shumë të respektuar, u përgjigj vetë zoti Veliu, i cili deklaroi që zotëri Quni nuk paska autorizim të flasë në emër të LDK-së. Pra, nëse me të vërtetë dëshironi me të vërtetë t’i hapni rrugë këtij diskutimi, atëhërë keni vetëm një shancë. Jo duke kërkuar që brenda pauzës të së njëjtës seancë ta gjejmë një zgjidhje kaq delkate dhe kaq të rëndësishme, por nëse doni zgjidhje apo t’i hijmë kësaj rrugëzgjidhje është ta votoni kundër mocionin e mosbesimit”, ka thënë ai.
Në Kuvendin e Republikës së Kosovës aktualisht është duke u mbajtur seanca e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, e cila është inicuar nga LDK-ja pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm./Gazeta Sinjali/