Ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Rexhep Selimi pohoi se e ka lexuar tërësisht aktakuzën e re, të ndryshuar, të cilën Zyra e Prokurorit të Specializuar e përpiloi kundër tij dhe ish-krerëve tjerë të UÇK-së dhe e dorëzoi në Gjykatën Speciale më 29 prill.
“Po, e kam marrë aktakuzën dhe e kam lexuar në tërësi”, u përgjigj Selimi, kur gjykatësi Nicolas Guillou e pyeti nëse i ka lexuar dhe kuptuar akuzat e reja,
Pas kësaj, gjykatësi urdhëroi leximin e akuzave të reja.
Selimit iu dha fjala sërish, dhe ai u deklaruar i pafajshëm për të gjitha krimet për të cilat akuzohet.
“Natyrisht që i kam lexuar dhe i kam kuptuar, dhe pohoj edhe njëherë se nuk kam të bëj asgjë me krimet e as me akuzat të prezantuara në këtë aktakuzë”, tha ai.
Pohoi se kupton, kur gjykatësi i lexoi të drejtat që gjykata ia ofron Selimit.
“I nderuar gjykatës, më lejoni të deklarohem i pafajshëm, sikur në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi kur gjykatësi ia dha fjalën për ta deklaruar pafajësinë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi u paraqitën në Speciale të martën para Selimit. Ata u deklaruan të pafajshëm gjatë seancës dëgjimore.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 29 prill e ka dorëzuar në Gjykatën Speciale një aktakuzë të re, të ndryshuar, kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Në aktakuzën e re, prokurori Jack Smith ka përfshirë disa krime të pretenduara në Suharekë dhe Gjilan, për të cilat akuzohen ish-krerët politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sikurse në aktakuzën e dorëzuar më parë, edhe në aktakuzën e re, të ndryshuar, Prokuroria i akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor e arrestime të paligjshme.