Policia e Shtetit Shqiptar ka sekuestruar tri çanta me lëndë narkotike cannabis sativa në Shkodër të cilat ishin të destinuara që të shkonin në Mal të Zi.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, pas operacionit policore janë vënë në pranga tre shteta që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Malit të Zi.
“Operacioni, nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Grabom dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Sekuestrohen 3 çanta të mbushura me pako me lëndë narkotike cannabis sativa. Vihen në pranga 3 shtetasit që tentuan ta trafikonin lëndën narkotike drejt Malit të Zi”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se të arrestuarit janë: R. M., 24 vjeç (drejtuesi i automjetit), R. M., 28 vjeç dhe O. S., 21 vjeç, të tre banues në Bajzë.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 21.5 kg kanabis, automjeti me të cilin po transportohej lënda narkotike dhe 3 aparate celulare. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim ”, bëhet e ditur në njoftim.