image Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës: Drejtoresha e Prokurimit nuk kreu shkelje ligjore në tenderin 110 milionë euro

Kosovë

Dokument/ Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës: Drejtoresha e Prokurimit nuk kreu shkelje ligjore në tenderin 110 milionë euro

news image

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot edhe zyrtarisht se është anuluar tenderi prej 110 milionë eurove për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit. Megjithatë, sekretari i ri i kësaj ministrie ka konfirmuar se fajtore nuk kishte qenë aspak drejtoresha e Divizionit të Prokurorimit në këtë ministri, Valmira Bllaca. Ai thekson se problemi është me financat e këtij projekti, raporton Gazeta Sinjali.

Fillimisht, Valmira Bllaca kishte kërkuar dorëheqje nga ky post për shkak të dyshimeve që ishin ngritur për këtë tender, por dy sekretarët e kësaj ministrie kanë refuzuar kërkesën e saj, për shkak se faji nuk kishte qenë tek ajo, por diku tjetër.

Më herët, sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, kishte refuzuar kërkesën e saj për dorëheqje, e gjatë ditës së sotme një veprim të tillë e ka bërë edhe sekretari i ri i Ministrisë së Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Izedin Bytyçi.

Bytyçi ka arritur në përfundim se Bllaca ka vepruar në përputhje të plotë me detyrat e saj për autostradën e Gjilanit.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se shkresat e kësaj lënde tregojnë se nuk ka mbulesë buxhetore. Më tutje në vendim thuhet se nuk ka asnjë vërejtje lidhur me procedurat e publikuara të tenderimit.

“Nga shkresat e lëndës vërehet se Deklarata e Disponueshmërisë së mjeteve e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Financiar nuk ka mbulesë buxhetore, sepse për këtë projekt nuk ka pasur mbulesë buxhetore në datën e nënshkrimit për vitin buxhetor 2019, në ndërkohë që buxheti për vitin 2020 ende nuk është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës…”.

“Duke parë se nuk ekzistojnë vërejte lidhur me procedurat e publikimi të tenderimit, por konfuzioni ekziston kryesisht lidhur me mbulueshmërinë buxhetore të këtij projekti, vazhdimi i mëtejmë i procedurave do të shkarkonte rrezik që do të krijonte situata të pavolitshme që do të mund të dëmtonte buxhetin e shtetit”, thuhet në vendimin e siguruar nga Gazeta Sinjali.

Mësohet se Bllaca në kërkesën e saj të dorëheqjes kishte përmendur edhe ndërhyrjet politike në punën e saj lidhur me rastin në fjalë.

Në vendimin e publikuar nga Gazeta Sinjali vërtetohet edhe njëherë se drejtoresha e Divizionit të Prokurorimit në këtë ministri, Valmira Bllaca, kishte vepruar në përputhje të plotë me detyrat e saj.

Kontrata për ndërtimin e autostradës së Gjilanit ishte nënshkruar në shkurt të vitit 2018 nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj./Gazeta Sinjali/