Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis mbajti konferencën e tij për media në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ku edhe premtoi mbështetje për basketbollin e Kosovës si dhe paralajmëroi risi.
Zagklis, Çeku dhe Fetahu u zotuan që të kenë bashkëpunim mes institucioneve që ata përfaqësojnë, në mënyrë që të vazhdojë përkrahja për masivizimin e basketbollit të Kosovës përgjatë viteve në vazhdim, raporton KosovaPress.
Fillimisht, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku tregoi rëndësinë e basketbollit në Kosovë, ku tha se është i jashtëzakonshëm interesimi i madh i qytetarëve dhe rinisë sonë në këtë sport.
Çeku më tej shtoi se ky interesim dhe ky potencial i madh e meriton me doemos mbështetjen shtetërore dhe institucionale, ndërsa tha se prezenca e Zalgkis konfirmon bashkëpunimin e mirë të FBK-së me FIBA.
Çeku: Basketbolli është një nga sportet më të rëndësishme në vendin tonë, meriton përkrahjen shtetërore dhe institucionale
“Tashmë basketbolli është një nga sportet më të rëndësishme me suksese të jashtëzakonshme në vendin tonë, që ka interesim të madh prej qytetarëve tanë dhe rinisë tonë, dhe i gjithë ky potencial e meriton natyrisht dhe vëmendjen edhe mbështetjen shtetërore dhe institucionale…Ka qenë një rast i jashtëzakonshëm për ta rikonfirmuar bashkëpunimin e mirë të federatës me FIBA-n, por në të njëjtën kohë edhe për ta aktivizuar Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Sportit në llojin, nëse mund të themi të një trekëndëshi, të bashkëpunimit dhe të një vizioni afatgjatë të zhvillimit të basketbollit në vendin tonë”, tha Çeku.
Ndërkaq, përkrahjen e MKRS-së dhe FIBA-s e konfirmoi edhe presidenti i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, i cili tha se duhet bërë çdo gjë për të sjellë fëmijët pranë sportit, respektivisht pranë basketbollit.
Fetahu: Nuk kemi asnjë arsyetim për të bërë atë që është e domosdoshme, për ta çuar basketbollin tutje bashkërisht
“E kemi zotimin e dy zotërinjve të cilët janë në anët e mija dhe institucioneve që ata përfaqësojnë për ta përkrah vizionin e basketbollit të Kosovës për zhvillimin strategjik të saj për vitet në vijim edhe shpresoj që se shpejti do ta materializojmë këtë trekëndësh të cilin e përmendi ministri, angazhimin e të trija palëve me një program të veçantë për basketbollin e Kosovës, i cili do ta sjellë basketbollin, besoj aty ky e meriton… Kemi një rini të mrekullueshme, kemi angazhim, kemi dashuri për basketbollin, dhe nuk kemi asnjë arsyetim për të mos bërë atë që është e domosdoshme, për të sjellë fëmijët pranë sportit, për të sjellë fëmijët pranë basketbollit, dhe për ta çuar basketbollin tutje bashkërisht”, tha Fetahu.
Konferencën e sotme e mbylli sekretari i përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis, i cili në fjalimin e tij zbuloi se çfarë kanë diskutuar me krerët e FBK-së dhe MKRS-së, ku tha se fokusi ka qenë te mbështetja e strategjisë së masivizimit të basketbollit në Kosovë nga ministria, strategji kjo e cila do të mbështetet nga FIBA me idetë e saja, ide këto të cilat pritet të sjellin edhe disa risi.
Zagklis: Fokusi ishte te mbështetja e ministrisë për federatën, proces ky në të cilin do të kontribuojë FIBA me idetë e saj, të cilat do të sjellin edhe disa risi
Nuk ka dyshim se këtu kemi një federatë që ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme mbështetjen e FIBA-s. Qoftë kjo nga programi FIBA Plus, ku ata ishin disa nga pionierët nga e mbarë bota, si dhe zbatimi i strategjisë së tyre të re. Diskutimet tona sot u fokusuan se si po mbështetet kjo strategji e federatës nga ministria, dhe se si kjo strategji mund të shndërrohet tani në një strategji kombëtare për sportin e basketbollit, në të cilin proces do të kontribuojë FIBA me mendimet, idetë e veta, ndoshta edhe disa risi. Ne besojmë se ka shumë komponentë të kësaj strategjie me të cilat federata tashmë është në përputhje, disa të tjerë duhet të përmirësohen, dhe FIBA do të jetë në anën e Federatës për ta bërë këtë. Dhe sigurisht, një nga komponentët e rëndësishëm që basketbolli të shkojë në një nivel tjetër është padyshim infrastruktura, si këtu në kryeqytet ashtu edhe në mbarë Kosovën. Nuk do të mund të mos theksoj shpërndarjen shumë të mirë të basketbollit nëpër disa qytete, me klube të forta, dhe klubet e forta janë ato që e bëjnë Federatën të fortë, dhe një Federatë e fortë me një Ligë të madhe, do të thotë se do të vijnë më shumë të rinj në klube, që do bëj një ndikim më të madh social, dhe nëse mund të them një shoqëri më të shëndetshme.
Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis u njoftua mbrëmë me atmosferën e basketbollit kosovar, ku në palestrën “Minatori” në Mitrovicë ishte i pranishëm në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare, në të cilën Trepça e mposhti KB Tiranën me 40 pikë diferencë, respektivisht me rezultat 92:52. /KP