image Katër vite më parë Kosova arriti suksesin më të madh në basketboll

Basketboll

Katër vite më parë Kosova arriti suksesin më të madh në basketboll

news image

Më 19 gusht 2017, Kosova kishte arritur një sukses të jashtëzakonshëm në basketboll. Basketbollistët e Kosovës me fitoren 75:69 ndaj Estonisë kaluan me sukses fazën e parakualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Dardanët në parakualifikime ishin në grup me Estoninë dhe Maqedoninë, duke u renditur të dytët, pas Estonisë dhe para Maqedonisë.

Ky ishte një sukses i madh, pasi ishte hera e parë që merrte pjesë në parakualifikimet për Kupën e Botës dhe siguroi kualifikimet e fazës tjetër, ku garonin 32 shtete.

Kosova ishte pranuar vetëm dy vite më parë në FIBA (viti 2015), megjithatë, basketbollistët e Kosovës me një angazhim të madh zhvilluan lojëra të bukura dhe arritën rezultate shumë pozitive.

Ndeshja e fundit në parakualifikime ndaj Estonisë ishte me shumë emocione dhe dramë, ku përballja e zhvilluar në Prishtinë në një atmosferë të jashtëzakonshme përfundoi me fitoren e Dardanëve, që ishin duke humbur në pjesën e parë, por u rikthyen fuqishëm në pjesën e dytë për të triumfuar dhe kualifikuar tutje.

/Gazeta Sinjali Sporti/