Seanca gjyqësore e radhës për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, do të mbahet më 1 shtator, ku do pritet të dëshmojnë figura të larta politike, kështu bëri të ditur avokati i një nga të akuzuarit, Musa Damati.
“Në këtë rast voluminoz penal për dallim nga të tjerët klientja ime qe nga fillimi i kësaj procedure penale është e lirë dhe nuk ka asnjë masë izoluese ndaj saj, ndërsa sot në shqyrtimin Gjyqësor dëgjuam dëshmitarët e rastit të cilët në asnjë mënyrë nuk e kanë ndërlidhur klientën time me asnjë element penal, dhe bazuar në mbrojtjen profesionale e cila do t’i ofrohet presim pafajësinë e plotë të klientës time në këtë proces ligjor penal”, tha ndër të tjera, avokati i të akuzuarës Silvana Arsoviq.
Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të akuzuar se janë të përfshirë në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, janë paraqitur para trupit gjykues sot, raporton EO.
Pjesëmarrës në këtë seancë ishte edhe djali i Oliver Ivanoviqit, Nicola Ivanoviq. Ai tha pas dy vjetëve e gjysmë meritojnë drejtësi dhe se fajtorët duhet të dënohen.