image Seanca ndaj Gucatit e Haradinajt në Apel mbahet më 1 e 2 dhjetor

Drejtësi

Seanca ndaj Gucatit e Haradinajt në Apel mbahet më 1 e 2 dhjetor

news image

Me 1 dhe 2 dhjetor, paneli i Gjykatës së Apelit brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, do të mbajë seancë në lidhje me rastin “Gucati-Haradinaj”.

Kjo gjykatë do të trajtojë ankesën e avokatëve mbrojtës të dy ish pjesëtarëve të UÇK-së, që ishin edhe në krye të Organizatës së Veteranëve, në kohën kur u arrestuan.

Bazuar në njoftimin e Dhomave të Specializuara, gjykatësit vënë në dukje se, bazuar në rregullore, vendimi mbi apelin kundër aktgjykimit mund të merret tërësisht mbi bazën e parashtrimeve me shkrim.

“Sidoqoftë, ata e gjykojnë të nevojshme seancën për shkak të rrethanave konkrete të kësaj çështjeje, mes të cilave gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit”, njoftojnë Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara më 18 maj shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Ekipet mbrojtëse të Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit konfirmuan për gazetarët se do të apelojnë aktgjykimin dënues për dy të akuzuarit, shqiptuar më 18 maj nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

/GazetaSinjali/