image Scholz: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

Rajon

Scholz: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

news image

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë vizitës më 11 qershor në Shkup ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Gjermaninë dhe se ai është i përkushtuar për anëtarësimin e këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryeministrin maqedonase, Dimitar Kovaçevski, kancelari Scholz tha se Gjermania është seriozisht e përkushtuar për integrimin evropian të vendeve të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, e cila, sipas tij i ka përmbushur të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave për anëtarësim.

“Unë do të angazhohem që të zhbllokohet rruga për nisjen e bisedimeve pasi kjo është e domosdoshme. Ne jemi të gatshëm të marrim një vendim të tillë dhe do të bëjmë gjithçka që këtë ta bëjnë të gjitha shtetet. Maqedonia e Veriut ka përmbushur të gjitha parakushtet dhe unë do të angazhohem që kjo të ndodhë”, ka deklaruar kancelari gjerman duke shtuar se integrimi i rajonit në BE ishte premtuar para 20 viteve dhe kjo, sipas tij, duhet të ndodhë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski tha se procesi i integrimit apo hapja e bisedimeve të anëtarësimit nuk varet nga Shkupi, por nga një vend anëtar i BE-së, Bullgaria, e cila siç tha ai po mban “peng” dy shtete kandidate për anëtarësim, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë, të cilat, sipas Kovaçevskit, “meritojnë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit”.

Kryeministri tha gjithashtu se në Bullgari kontesti me Maqedoninë e Veriut dhe negociatat po përdoren për pikë politike.

Asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë çështje për pikë të brendshme politike dhe në Bullgari është ngritur në nivelin e politikës së brendshme dhe shpeshherë është instrumentalizuar, gjë që nuk është mirë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe nisja e bisedimeve aktualisht varet nga vetëm një shtet anëtar i BE-së që mban peng dy shtete kandidate për anëtarësim – Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Kovaçevski.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka përmendur Procesin e Berlinit, i cili sipas tij që nga viti 2014 ka treguar nevojën për bashkëpunim mes gjashte shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Dua rigjallërimin e Procesit të Berlinit si shumë i rëndësishëm për vazhdimin e planit aksional për treg të përbashkët rajonal, që ishte vendosur para dy viteve në Sofje, e që ka të bëjë me garantimin e katër lirive: lirinë e lëvizjes se mallrave, të njerëzve, kapitalit dhe bashkëpunimit rajonal. Integrimi ekonomik ka rëndësi shumë të madhe për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, pasi kjo forcon ekonominë dhe përmirëson raportet e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ai ka përshëndetur edhe përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për të zbatuar sanksionet kundër Rusisë, që sipas tij, janë dëshmi se ky vend respekton vlerat evropiane dhe qëndron pas shteteve evropiane për të dënuar agresionin rus në Ukrainë, shkruan REL.

“Ne jemi unik dhe të vendosur për të ndihmuar Ukrainën që të mbroj vendin, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, ka thënë Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Rruga drejt integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE është bllokuar nga Bullgaria që është shtet anëtarë i Bashkimit Evropian për shkak të kontestit mes dy vendeve për çështjen e gjuhës dhe të kaluarës historike.

Në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, Scholz, paraprakisht vizitoi Kosovën dhe Serbinë ku tha se dialogu midis dy vendeve duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Ai këto deklarata i bëri gjatë një vizite në Prishtinë, pas së cilës vizitoi edhe Beogradin, ku porositi se si një vend kandidat për anëtarësim në bllok, Serbia duhet t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

/GazetaSinjali/