image Samiti i BE-së pritet të përsërisë 'perspektivën evropiane' për Ballkanin - Sinjali

Samiti i BE-së pritet të përsërisë ‘perspektivën evropiane’ për Ballkanin

news image

Në samitin e Bashkimit Evropian, që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, do t’u ndahet statusi i kandidatit dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa do të përsëritet përkushtimi i BE-së për perspektivën e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për këtë tashmë është përgatitur drafti i konkluzave që do të miratohen në këtë takim të Këshillit Evropian, draft në të cilin ka pasur qasje edhe REL.

Por, siç qëndrojnë gjërat aktualisht, përveç porosive politike për përshpejtimin e integrimit të vendeve të rajonit me BE-në nuk priten vendime konkrete sa i përket nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, apo ndonjë vendim tjetër konkret lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkimi Evropian shpreh mbështetjen e plotë dhe të padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor dhe bën ftesë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit”, thuhet në draftin e dokumentit që do të prezantohet në samit.

Nga ky takim do t’i bëhet ftesë Komisionit Evropian, përfaqësuesit të Lartë dhe Këshillit që “të avancojnë më tej integrimin gradual mes Bashkimit Evropian dhe rajonit gjatë procesit të zgjerimit në mënyrën reversibile dhe bazuar në merita”.

Në këtë dokument një paragraf i veçantë i është kushtuar edhe dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjes së mospajtimeve bilaterale mes vendeve të rajonit.

“Këshilli Evropian rikonfirmon urgjencën për arritjen e progresit të dukshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura bilaterale dhe rajonale, në veçanti në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës”, thuhet në këtë draft.

Të enjten në mëngjes zhvillohet edhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.

Ndërkaq, liderët e vendeve pjesëmarrëse të “Ballkanit të Hapur” kanë thënë se të mërkurën, do të njoftojnë nëse do të shkojnë në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor. Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në draftin e konkluzave të përgatitura për samit, flitet edhe për idenë e krijimit të Bashkësisë Politike Evropiane.

Këshilli zhvilloi diskutim strategjik për raportet e Bashkimit Evropian me partnerët në Evropë. Diskutoi propozimin për krijimin e një Bashkësie Politike Evropiane. Qëllimi është që të ofrohet një platformë për koordinimin politik të vendeve evropiane përgjatë tërë kontinentit. Mund të jetë e vlefshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet e asociuara nga fqinjësia lindore, vendet e EFTA-s dhe të gjitha vendet, me të cilat kemi lidhje të afërta” do të thuhet në konkluzat që pritet t’i miratojnë liderët e BE-së.

Më tej rreth kësaj ideje do të thuhet se “qëllimi është të forcohet dialogu politik dhe bashkëpunimi për t’i adresuar çështjet e interesit të përbashkët në mënyrë që të rritet siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i kontinentit evropian”.

Me rëndësi është të theksohet fjalia se krijimi i një Bashkësie të tillë Politike Evropiane nuk do ta zëvendësojë procesin e tashëm të zgjerimit të BE-së:

Një kornizë e tillë nuk do t’i zëvendësojë politikat dhe instrumentet ekzistuese, më saktësisht zgjerimin, dhe do të respektojë autonominë e BE-së në vendimmarrje”.

Ky do të jetë samiti i fundit i BE-së gjatë Presidencës franceze, ndërsa pas saj nga 1 korriku kryesimin e Bashkimit Evropian do ta ketë Çekia.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: