image Sa po shpenzojnë mërgimtarët në Kosovë?

Kosovë

Sa po shpenzojnë mërgimtarët në Kosovë?

news image

Mbi 253 milionë euro, vetëm për katër muaj mërgimtarët i kanë lënë në Kosovë.

Remitencat nga bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim gjatë 4 muajve të parë të vitit 2019, janë rritur për më shumë se 18 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka thënë se trendi i rritjes së remitencave po vazhdon.

“Shuma e remitencave të dërguara për periudhën janar-prill të këtij viti ka arritur 253,5 milionë euro, nëse e bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar atëherë vlera është 18,7 milionë euro më shumë”, ka theksuar Kushtrim Ahmeti për RTK Radio.

Sipas Ahmeti të gjitha paratë e mërgimtarëve shkojnë për konsum.

“Vlerat që dërgohen të remitencave janë vlera të vogla, por në total bëhen vlera të mëdha dhe kryesisht shkojnë për konsum, financim të studentëve për studime dhe gjëra të tjera”, ka shtuar ai.

Trendi i rritjes së remitencave në Kosovë ka filluar shumë vjet më parë, por çdo vit ajo po vjen duke u rritur.

 “Nëse bazohemi edhe në të dhënat e fundit por edhe të dhënat e përgjithshme, kemi pas rritje vazhdimisht të remitencave të cilat mërgimtarët tonë i kanë dërguar për familjet e tyre në Kosovë. Nuk ka pasur rënie, kemi pasur kohë pas kohe ndonjë stabilitet por kryesisht kemi rritje të përkohshme, mjafton të shohim vetëm 4 muajt e parë të këtij viti dhe 4 muajt e vitit të kaluar ku kemi 18,7 milionë euro më shumë, dhe kjo tregon që vazhdon të ketë rritje të dërgimit të remitencave nga mërgimtarët tanë te familjet e tyre që jetojnë në Kosovë”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë mbi 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Sinjali/