Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017, vendim i cili nxiti reagime të shumta duke u konsideruar kështu si një vendim i paarsyeshëm.
Kryeministri Kurti ka thënë se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.
Me vendimin e Kryeministrit Kurti tashmë një gjykatësi pritet t’i ulet paga për 833 euro, kështu duke u bazuar në deklarimet e pasurisë së prokurorëve dhe gjykatësve në vitin 2017 ku një gjyqtare në vitin 2017 është paguar 1.417 euro për një muaj ndërsa e njëjta në deklarimin e pasurisë ka treguar se të hyrat e saj vjetore nga KGJK janë 27 mijë e 438 euro.
Ndërsa një prokurore në vitin 2017 ka deklaruar të hyra vjetore nga Prokuroria e Shtetit 17 mijë e 454 euro, që i bie paga mujore e saj ka qenë 1 mijë e 454 euro, ndërsa në vitin 2022 të hyrat e saj nga Prokuroria e Shtetit janë rreth 2 mijë e 805 euro në muaj.
Kurse tashmë me vendimin e fundit të kryeministrit Albin Kurti për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët, paga pritet t’i ulet për 1 mijë e 351 euro.