Ndërsa video dhe fotografi me pamje të rënda, të trupave të viktimave civile në Bucha po dalin në dritë, shtypi rus i kontrolluar nga Kremlini, thotë se ato janë një sajesë e sofistikuar, një teori që gazetarët e shumtë në Ukrainë e kanë provuar të jetë false.
Denoncimi i lajmeve si të pavërteta, ose përhapja e lajmeve false për të përhapur konfuzion tek kundërshtari, janë taktika që Moska i ka përdorur në të kaluarën dhe i ka përpunuar më tej përmes medias sociale në vende si Siria.
Në transmetime të shumta dhe të hollësishme për miliona shikues, korrespondentë dhe moderatorë të kanaleve shtetërore televizive në Rusi, theksonin dje se disa nga fotot dhe videot e të vrarëve ishin të sajuara, ndërsa të tjerë thonin se ato ishin krime të kryera nga ukrainasit.
“Pamjet e para që dolën ishin ato të shpërndara nga ukrainasit, të cilat tregojnë se si nga një trup i pajetë, papritmas fillon të lëvizë një dorë”, thotë një gazetar për stacionin Rusia-1,
“Dhe nga pasqyra e pasme e makinës, shihet se si të vdekurit fillojnë të çohen”, shton ai më tej, shkruan VOA.
Por pamje të marra me satelit në fillim të marsit, tregojnë trupa të vdekurish të lënë nëpër rrugë me javë të tëra në Bucha.
Më 2 prill, pamje filmike të regjistruara nga një makinë në lëvizje dhe të postuara nga një avokat, tregojnë të njejtët trupa në rrugën Jablonska në Buça.
Shtypi perëndimor ka bërë verifikime të shumta të videove dhe ka arritur në përfundimin që ato janë reale.