Rusia po përforcon njësitë ushtarake në Kharkiv, teksa po përpiqet të ndalojë përparimin e trupave ukrainase, që ka çuar trupat e Kievit në skaj të dy qyteteve kryesore në rajon.
Forcat ukrainase kanë mbërritur në perëndim të Kupiansk dhe kanë përparuar gjithashtu në jug drejt Iziumit, pasi kanë avancuar më shumë se 50 kilometra në territorin e kontrolluar nga Rusia, që nga fillimi i kësaj jave.
Përparimi i rrufeshëm ka krijuar skenën për atë që duket të jetë një konfrontim i afërt mbi dy zonat kyçe, që shihen si strategjikisht të rëndësishme nga të dyja palët. Rusia aktualisht po përdor Kupianskun si një qendër hekurudhore për të rifurnizuar forcat e saj dhe Iziumin si një pikënisje për sulmet drejt jugut në rajonin e Donetsk.
Pamjet treguan helikopterët rusë duke mbërritur në rajon dhe të paktën duke shkarkuar një automjet të blinduar, raporton CNN.
Sipas raporteve, selia ushtarake ruse po përdorte helikopterët Mi-26 për të përforcuar njësitë në Kharkiv me ushtarë dhe automjete të blinduara, duke ridislokuar trupa rezervë si në Kupiansk ashtu edhe në Izium.