image Rukiqi: Qeveria po heziton ta pranojë krizën ekonomike në Kosovë, ka rënie të bashkëpunimit me bizneset - Sinjali

Rukiqi: Qeveria po heziton ta pranojë krizën ekonomike në Kosovë, ka rënie të bashkëpunimit me bizneset

news image

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se i shqetëson neglizhenca e institucioneve të Kosovës për ta trajtuar në mënyrë më serioze krizën që e ka prekur krejt globin, përfshirë edhe vendin.

E derisa ka folur për inflacionin, ka shtruar pyetjen se çfarë nëse shkon në stagflacion (situatë në të cilën norma e inflacionit është e lartë, norma e rritjes ekonomike ngadalësohet dhe mund të përkeqësojnë papunësinë).

Neve po na shqetëson pak neglizhenca e institucioneve për ta trajtuar në mënyrë më serioze këtë krizë, për ta adresuar që ka një krizë, fillimisht duhet pranuar që ka një krizë, ka pak një hezitim të qeverisë ta adresojë si krizë dhe unë mendoj që kjo është natyra e problemit, pastaj te specifikat e problemit apo si mund të trajtohet një krizë, ka shumë mekanizma, në radhë të parë do të ishte një mekanizëm mes sektorit privat dhe qeverisë për me diskutuar në baza të rregullta këtë çfarë po ndodhë dhe kjo po bëhet praktikë në të gjitha vendet”, tha ai.

Rukiqi, në fund të mandatit të tij, ka folur rreth sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset, bashkëpunimin me institucionet, çështjen e çmimeve të naftës dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

I pyetur për gjendjen aktuale në të cilin po kalon vendi me ngritje të inflacionit, i cili tashmë është 11.2 për qind, Rukiqi ka thënë se qeveria aktuale nuk është duke e pranuar se vendi është në gjendje jo të mirë ekonomike.

Sipas tij, Qeveritë e vendeve tjera dhe bizneset janë ulur së bashku për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit, por kjo nuk ka ndodhur edhe në vendin tonë, gjë që mund të krijohen dëme të pariparueshme.

Rreth rritjes së çmimit të naftës, Rukiqi ka deklaruar se fajtor për këtë nuk janë bizneset, ashtu siç po thuhet nga qeveria, por sipas tij, fajtor për këtë është importi me rritje të çmimit.

“Unë mendoj që qeveria duhet ta pranoj si krizë, jo si krizë që e ka shkaktua kjo qeveri apo ajo, si krizë e rrethanave e faktorëve të jashtëm por nëse nuk trajtohet si krizë, atëherë është problem me i marrë edhe masat adekuate dhe shpeshherë në situata të tilla tentohet, të vendoset faji diku tjetër p.sh., si te rasti i naftës, sjellja është sikur fajin e kanë tregtarët se nuk është ky problem i natyrës tjetër”, ka thënë Rukiqi

E sa i përket bashkëpunimit Qeveri-Oda Ekonomike dhe biznese, sipas Rukuqit, kryeministri Kurti del të jetë më i mbylltë për të parë nga afër problemet në të cilat kalojnë bizneset e vendit por edhe organizatat.

Ende është një vit prej që e kanë marrë mandatin por sigurisht, ka një ngadalësim, ose më mirë të themi ka një rënie të intensitetit të bashkëpunimit mes biznesit dhe institucioneve publike në këtë mandat, shpresoj se kjo do të përmirësohet si çdo qeveri që vjen në fillim i ka pak ato kokëfortësitë e veta por megjithatë shpresoj që me kohën edhe mund të përmirësohen”, ka deklaruar Rukiqi.

Pas katërmbëdhjetë vjetësh në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka treguar eksperiencat e tij ndër vite. Ai tha se ndërrimi i qeverive dhe gjendja me pandeminë, kanë qenë momentet më të jashtëzakonshme për atë, shkruan KP.

“Ka qenë i jashtëzakonshëm edhe për një arsyeje tjetër sepse vendi ka kaluar në stabilitet jopolitik kur kam ardhur, e kam gjetur një qeveri, pastaj ka pasur zgjedhje, ka ardhur një qeveri tjetër… Në këtë punën tonë ne që e bëjmë në këtë udhëheqjen e një organizate biznesore, kërkohet komunikim i rregullt me pjesën publike apo institucionet publike, në këtë rast në radhë të parë me qeverinë, kjo është ndër sfidat kryesore për arsye se ka ndryshime të shpeshta, po supozojmë që e fillojmë një reformë të mirë fiskale me një ministër, pastaj nëse nuk përfundon reforma vjen ministri tjetër”, tha ai.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet të cilat do të mbahen edhe pak muaj për të parin e Odës Ekonomike. Sipas tij, duhet të jetë dikush që e njeh natyrën e funksionimit të organizatave të bizneseve.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin