image Ruçi e uron Konjufcën dhe e fton në Kuvendin e Shqipërisë

Zgjedhja/ Ruçi e uron Konjufcën dhe e fton në Kuvendin e Shqipërisë

news image

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes në këtë post.

“Kam besim të plotë se nën drejtimin tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do të përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si edhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj” shprehet Ruçi.

Në vlerësimin e tij për kreun e ri të legjislativit kosovar, Ruçi shënon se “Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin kini shërbyer si zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë ne media si edhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”.

Ruçi shprehet se “Gjej rastin të rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë si edhe timin personal se, ashtu si deri më sot, bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet, si një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh”.

Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimin e ardhshëm mes dy vendeve Ruçi e ka ftuar Konjufcën për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt.