Ekonomia e Kinës u rrit për 18.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Autoritetet thanë se ky është kërcimi më i madh i bruto prodhimit të brendshëm, qëkur Kina ka nisur të mbajë shënime tremujore, në vitin 1992.
Megjithatë, shifra është më poshtë se pritjet e ekonomistëve për 19 për qind rritje.
Në tremujorin e parë të vitit 2020, ekonomia e Kinës është tkurrur për 6.8 për qind, për shkak të izolimit mbarëkombëtar nga sëmundja COVID-19, transmeton rel.
“Ekonomia kombëtare bëri një start të mirë”, tha Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës, e cila publikoi të premten të dhënat e çerekut të parë.
“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se COVID-19 është ende duke u përhapur globalisht dhe peizazhi ndërkombëtar është i ndërlikuar – me pasiguri dhe paqëndrueshmëri të mëdha”, tha po ashtu Byroja e Statistikave.
Kina ka vendosur një objektiv të rritjes ekonomike prej 6% në vitin 2021. /Gazeta Sinjali/