Rritja e numrit të infektuarve me COVID-19 ka bërë që të ketë kërkesa të mëdha për gjak, kështu ka deklaruar drejtoresha në Qendrën për Transfuzion të Gjakut, Bukurije Zhubi.
Sipas saj, gjatë kësaj kohe me shtimin e rasteve, kanë pasur kërkesa më të mëdha për dhurim të gjakut, por që kanë mjaftueshëm doza për pacientët në nevojë.
“Duke pasur parasysh situatën me COVID-19 kemi pasur një shtim të punës dhe kërkesa të mëdha, përndryshe me dhurimin vullnetar kemi arritur t’i mbulojmë ato nevoja që kanë pasur pacientët me COVID-19”, tha Zhubi.
Edhe pse thotë se moti i nxehët ka ndikuar në uljen e numrit të dhuruesve, ofrimi i shërbimeve është bërë pa asnjë problem.
“Jemi ndodhur në një verë jashtëzakonisht të nxehtë, që ka ndikuar që të pakësohet me raste dhurimi i gjakut, e këtu hyjnë edhe pushimet, por falë organizimeve tona nga qendra kemi kontribuar që të krijojmë një shtesë të dozave të gjakut, edhe nga qytetarët që kanë shprehur dëshirë të japin gjak”, u shpreh ajo.
Tutje, Zhubi tha se kanë ndikuar edhe dhuruesit vullnetar si FSK-ja, banorë të fshatrave të ndryshme e qytetarë të shumtë.
“Dhurimi i gjakut ka qenë akt human gjithmonë që të sigurojmë rezerva për ata që kanë nevojë. Përmes sesioneve që i kemi pasur nga FSK dhe fshatra të ndryshme kemi arritur të sigurojmë sasi të konsiderueshme të gjakut”, theksoi ajo për EO.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar se në total numri i rasteve aktive është 8 mijë e 544.