Ligjvënësi më i fuqishëm i New Yorkut në Kongres, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, tha të dielën se mbështet hetimin ndaj Guvernatorit Andrew Cuomo, në lidhje me akuzat për ngacmim seksual të ngritura nga pesë gra, shumica e të cilave kanë punuar më parë si ndihmëse të tij.
“Ngacmimi seksual nuk është kurrë i pranueshëm dhe nuk mund të tolerohet kurrë”, tha demokrati Schumer.
“Gratë duhet të dëgjohen … pretendimet e secilës prej tyre duhet të merren seriozisht”, shtoi ai.
Ai i quajti akuzat “thellësisht shqetësuese” dhe tha se mbështeste hetimin e nisur nga zyra e Prokurores së Përgjithshme të New Yorkut, Letitia James.
“Unë kam shumë besim tek ajo. Besoj se ajo do të sigurohet që të mos ketë ndërhyrje nga jashtë, politikisht apo të çdo lloji tjetër”, tha Schumer.
Cuomo ka thënë se nuk do të largohet nga detyra dhe se do të vazhdojë të drejtojë shtetin e New Yorkut ndërsa përballet me krizën e shkaktuar nga COVID-19.
“Nuk do të jap dorëheqjen për shkak të akuzave”, u tha Cuomo gazetarëve të dielën, sipas njoftimeve në media.
“Është e gabuar të publikosh akuza përpara se të dihet nëse ato janë të besueshme … Duhet të lëmë prokuroren e përgjithshme të bëjë punën e saj”, shtoi ai.
Sipas akuzave më të fundit kundër guvernatorit demokrat, gazeta “Wall Street Journal” shkruante të shtunën se një ish-ndihmëse, Ana Liss, tha se në 2014 Cuomo ndonjëherë e përshëndeste atë me një përqafim dhe puthje në të dyja faqet, duke i thënë “e dashur”, e duke i puthur dorën. Ajo tha gjithashtu se Cuomo e kishte pyetur nëse kishte të dashur, njofton Zëri i Amerikës.
Gazeta “Washington Post” shkruante të shtunën se një ish-ndihmëse për marrëdhëniet me shtypin, Karen Hinton, tha se në vitin 2000 Cuomo kur ishte Sekretar federal i Strehimit nën Presidentin Bill Clinton, e kishte përqafuar atë në një dhomë hoteli pas një aktiviteti pune.
Akuzat e reja u shfaqën pas atyre të bëra nga tre gra që e kishin akuzuar 63-vjeçarin Cuomo, për ngacmim seksual apo komente të papërshtatshme. Ai i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë me hetimin që po kryen zyra e James.
Guvernatori, i cili i ka refuzuar thirrjet për dorëheqje që kanë ardhur edhe nga ligjvënës demokratë të njohur të shtetit, javët e fundit është vënë përballë edhe një tjetër sfide, asaj që lidhet me akuzat se administrata e tij u përpoq të ulte numrin e banorëve të shtëpive të të moshuarve që kanë humbur jetën nga COVID-19. /Gazeta Sinjali/