Shfaqja e koronavirusit dhe izolimi në shtëpi i qytetarëve ka rritur dukshëm numrin e rasteve të dhunës familjare.
Lidhur me këtë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i është drejtuar qytetarëve përmes një video-mesazhi ku thotë se qeveria ka rritur buxhetin e strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në vlerën prej 900 mijë eurove, shkruan Gazeta Sinjali.
Tutje, ai ka thënë se janë duke shqyrtuar forma për shtimin e fondeve të programeve kundër dhunës në familje.
Kurti ka shtuar se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme, e gjithashtu nuk e ka asnjë arsyetim.
“Si drejtues të institucioneve, jemi të shqetësuar se me situatën e vetizolimit, për shkak të pandemisë së koronavirusit, është rritur dhuna në familje. Dhuna asnjëherë nuk ka arsyetim. Për ne është e papranueshme dhe e dënueshme. Qeveria e ka rritur buxhetin për strehimoret për të mbijetuarat e dhunës. S’është kollaj veç të jetosh do të thotë veç të banosh, i mbyllur, në hapësirë të kufizuar, në stinën e bukur të pranverës. Në këtë kohë, qëndrimi në shtëpi na shpëton nga virusi, por dhuna nuk guxon të izolohet si çështje private brenda shtëpive”, ka thënë ai. /GazetaSinjali/