image Rritet çmimi i ujit në këto qytete

Rajon

Rajon/ Rritet çmimi i ujit në këto qytete

news image

Me fillim të muajit dhjetor, çmimi i ujit do të ngritet edhe në qytetin e Vlorës dhe të Krujës. Ndërkohë që në Berat dhe Kuçovë rritja ka nisur të aplikohet që prej datës 1 nëntor.

Këtë vendim e mori Enti Rregullator i Ujit.

Rritja më e ndjeshme i takon qytetit të Vlorës, duke qenë se tashmë konsumatorët do të paguajnë për ujin e pijshëm 45 lekë/m3 nga 30 lekë/m3, apo 50% më shtrenjtë se sa paguanin aktualisht.

Rritje për këtë qytet kanë pësuar dhe tarifat për konsumatorët publikë, duke shkuar nga 60 në 100 lekë/m3, si dhe për bizneset që do të paguajnë 100 lekë/m3 nga 80 lekë/m3 që paguanin deri më tani. Po kështu, ERRU ka shtrenjtuar për Vlorën edhe tarifat për largimin e ujërave të ndotur për të 3 kategoritë e mësipërme si dhe tarifën fikse që paguhet çdo muaj. Ndërkaq, rritja e çmimit është më e ulët në qytetet e tjerë.

Kështu, në Berat-Kuçovë aktualisht, banorët paguajnë 48 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 13 lekë/ m³ për largimin e ujërave të ndotur. Ndërkohë që, me tarifat e reja do të paguhet 50 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 14 lekë/m³ për ujërat e ndotur.

Në Krujë, rritja më e ndjeshme është bërë për kategorinë e bizneseve, të cilët do të paguajnë 25% më shumë për ujin e pijshëm. Për këtë qytet është 2-fishuar edhe tarifa fikse , duke shkuar 100 lekë për konsumatorët familjarë dhe 200 lekë për klientët publikë dhe bizneset.

Ndërkaq, për herë të parë ERRU ka miratuar tarifa zyrtare edhe për ujësjellësin e Himarës, duke vendosur tarifimin e 55 lekë/m3 për familjarët dhe 100 lekë/m3 për klientët publikë dhe bizneset./Gazeta Sinjali/