Janë 1826 studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të cilët po kërkojnë që provimet e afatit të prillit të mbahen në qershor, kurse afati i provimeve të qershorit të shtyhet për në shtator, shkruan Gazeta Sinjali.
Për të arritur këtë, studentët e këtij universiteti mbrëmë kanë nisur një peticion online i cili deri tani ka mbledhur 1826 nënshkrime të studentëve.
Kjo kërkesë e tyre thonë se ka nisur duke e marrë parasysh situatën e krijuar nga pandemia.
“Duke e marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, rruga më e mirë do të ishte që provimet e afatit të prillit të mbaheshin në qershor,ndërsa provimet e qershorit të mbahen në gusht”, thuhet në letrën e pëlqimit të peticionit.
Kujtojmë që më 13 mars qeveria mori vendim që të ndërpritet procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit në vend, duke përfshirë edhe universitet dhe një javë më pas filloi mësimi online.
Por, për shkak të pandemisë, afati i provimeve të prillit në Universitetin e Prishtinës nuk është mbajtur.
Kurse, për afatin e qershorit, prorektori për mësim dhe çështje për studentë në Universitetin e Prishtinës, Hysen Bytyqi gjatë ditës së djeshme tha se nuk kanë pasur ndonjë vendim nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket mbajtjes së provimeve të afatit të qershorit në njësitë akademike.
Provimet në këtë afat po planifikohet që të mbahen në formë online nëse stafi akademik dhe studentët nuk do të mund të kthehen në njësitë përkatëse akademike.
Ai u shpreh se Universiteti “Hasan Prishtina” do të preferonte variantin e parë që stafi akademik dhe studentët të mbajnë provimet në njësitë akademike.
“UP-ja do ta preferonte variantin e parë që ne të kthehemi në njësitë akademike tona dhe provimet të mbahen në mënyrë fizike kjo është e dëshirueshme nga studentët dhe nga ne”, tha ai./Gazeta Sinjali/