image "Rreth 200 euro bileta me shku", fluks i lartë i qytetarëve për të udhëtuar në Evropë me autobus

Kosovë

“Rreth 200 euro bileta me shku”, fluks i lartë i qytetarëve për të udhëtuar në Evropë me autobus

news image

Përveç me aeroplan dhe automjete, qytetarët e Kosovës tashmë kanë nisur të lëvizin pa viza në zonën Schengen edhe me autobus. Disa autobusë janë mbushur me udhëtarë të hënën dhe martën në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për të udhëtuar në Evropë.

Me heqjen e regjimit të vizave nga 1 janari, disa qytetarë tashmë kanë filluar vizitat e tyre të planifikuara tek familjarët në shtetet e Bashkimit Evropian.

Qytetarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë me autobus kanë mirëpritur liberalizimin e vizave, por theksojnë se çmimet e biletave janë të larta.

Qytetari, Daut Krasniqi është shprehur i kënaqur për lëvizjen e lirë pa viza, por shton se shuma e biletës vetëm për një drejtim i ka kushtuar rreth 200 euro.

“Unë jam gëzuar shumë edhe jam shumë i kënaqur, edhe tanimë njerëzit munden me udhëtuar për të shkuar në Evropë për të shikuar se si është atje. Këto që i kamë parë unë diku rreth 200 euro bileta për me shku, por tani të shohim ndoshta bëhet edhe më lirë”, u shpreh ai.

Ndërkaq ndryshe nga Krasniqi, qytetari Qazim Berisha tha se kushtet që i kanë vendosur janë të vështira për t’i përballuar.

“I kemi prit me padurim edhe jemi të kënaqur tani vazhdojmë shkojmë lirë, por pak i kanë bërë kushtet të vështira si po thonë me standarde të Kosovës me çka do me shku atje. Por ndoshta do të na lehtësojnë këto viza, sepse shumica shkojnë, ai që ka diko jashtë i ndihmon, i dërgojnë pare dhe vazhdojnë. Tani që po e përcjelli nipin në Itali, bileta kthyese është 140 euro”, tha ai.

E Auguton Limani qytetari që jeton në Itali u shpreh i kënaqur që tani familja e tij kanë mundësin që ta vizitojnë atje.

“Jemi gëzuar shumë, sepse do të vinë familjarë të na vizitojnë dhe është më e lehtë për gjithçka… Me aeroplan janë shtrenjtë biletat shumë, ndërsa me autobusë janë 70 euro”, theksoi ai.

Granit Veselaj nga një agjenci e autobusëve tha se qytetarët ende nuk i dinë rregullat për të udhëtuar pa viza. Ai gjithashtu tregoi edhe për çmimet që kjo agjenci i ka për udhëtarët që udhëtojnë nëpër Evropë.

“Realisht për ne është njëjtë, vetëm për qytetarët është pak më e lehtë me udhëtuar pa viza. Pak më shumë ne kemi obligim që t’i shpjegojmë secilit se çka duhet e si duhet dhe çfarë dokumente duhen për udhëtim. Norma, është në rritje pak numri i udhëtarëve, dikush shkon me vizitua dikë që nuk ka qenë, por ka rritje ka kërkesa…Çmimet e biletave dallojnë nga shtetet dhe qytetet, qyteti më i afërt Trieste është 50 euro”, tha ai për KP.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

/GazetaSinjali/