Sipas një studimi global, pothuajse një miliard individë në mbarë botën janë diagnostikuar me një sëmundje mendore, megjithatë ata dhe shumë të tjerë vazhdojnë të vuajnë në heshtje nga shqetësimi për stigmën e lidhur me problemet psikiatrike.
Raporti i studiuesve në dyzet vende të botës u publikua të hënën, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor. Raporti është në qendër të një takim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë, shkruan VOA.
Në botë, nuk ka vend ku njerëzit nuk përjetojnë paragjykim për shkak të sëmundjeve të shëndetit mendor. pohon një studim i fundit.
Studiuesit dhe grupet e shëndetit mendor pohojnë se një sëmundje e vështirë për t’u diagnostikuar shpesh nuk trajtohet seriozisht.
Hulumtimi, i cili u publikua në revistën mjekësore “Lancet”, kërkon veprim për të hequr atë që pretendon se është stigmë globale dhe paragjykim ndaj atyre që kanë probleme të shëndetit mendor.
Punimi është quajtur “Më keq se sëmundja” sepse personat që vuajnë nga sëmundjet mendore i informuan studiuesit se të mësuarit për sëmundjen e tyre është më e keqe se të vuash në heshtje.
“Është paradoks, pse duhet të hezitojmë kaq shumë të flasim për këtë? Sepse njerëzit besojnë gjëra të gabuara. Njerëzit krijojnë lidhje të padrejta mes sëmundjes mendore dhe dhunës. Ata mendojnë se njerëzit që kanë një problem të shëndetit mendor nuk janë të besueshëm, nuk janë partnerë të mirë në martesë ose nuk janë kolegë të mirë pune”, thotë bashkautori i raportit, Profesori i Psikiatrisë Komunitare, Graham Thornicroft nga Kolegji “King”në Londër.
Sipas studiuesve, terapia për trajtimin e shëndetit mendor është e padisponueshme. Sipas sondazhit, vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme vuajnë më shumë nga problemet e shëndetit mendor dhe varfëria.