Siao Jao, 27-vjeç, as që e kishte ditur se është infektuar me coronavirus dhe nuk e kishte idenë se ku ka ndodhur kjo, megjithatë ai dyshon se ka mundur të ndodhë derisa është kthyer me tren në shtëpi, pasi kishte shkuar për të festuar vitin e ri kinez në Dingzo.
Siao që punon në Chengu në jugperëndim të Kinës, kishte ndjerë se diçka nuk është në rregull gjatë pritjes së vitit të ri, transmeton Telegrafi.
“Befasisht më ka kapluar një temperaturë e madhe. Më kapi paniku. Nuk e dija çfarë të bëjë. Nga miqtë në Wuhan kam dëgjuar gjëra të tmerrshme për virusin që ishte shpërndarë në gjithë vendin. Kam pasur përshtypjen se nuk duhet të shkojë në spital, pasi atje mund të sëmuren edhe më shumë”, ka deklaruar ai.
Aty e kuptoi se duhet të arratiset nga shtëpia e mikeshës me qëllim që ta mbroj djalin e tij të vogël dhe prindërit e moshuar. Wuhan qysh asokohe ishte futur në karantinë. E pasi që nuk kishte mundur të arrijë as deri të shtëpia e prindërve, Siao u vendos në hotelin më të afërt.
Për afro një javë qëndroi i mbyllur në dhomë, pasi në qytet çdo gjë ishte mbyllur, duke filluar nga marketet e deri të kafiteritë. Vazhdimisht merrte barna për uljen e temperaturës dhe konsultohej me mjekë në internet, që i rekomandonin se ndoshta mund të ketë pësuar infeksion në rrugët respiratore.
“Kam qenë i shqetësuar. Mendoja nëse duhet ta thërras policinë që përmes tyre të marr ndonjë lloj ndihme. Në fund hoqa dorë nga kjo ide sepse nuk isha i sigurtë nëse jam infektuar me coronavirus, por më vonë u shërova”, shtoi ai.