Me vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, Burim Rreci u rikthye vetëm dje në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie, pasi që sot është marrë përsëri vendim për pezullimin e tij.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e ministrit të Nismës Socialdemokrate, i cili është marrë sot, më 25 nëntor.
Në këtë vendim thuhet se pezullimi bëhet për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore, me arsyetimin se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Rreci pengon hetimin dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij.
Lidhur me këtë vendim të ri, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Rrecin, i cili tha se ky vendim është marrë sot në orën 08:00 të mëngjesit, për të cilin nesër do të dërgojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale.
“Dje në orën 16:00 e kom marrë vendimin për rikthimin në pozitën e sekretarit sepse e kam fituar lëndën në Gjykatën e Apelit. Ndërsa sot në mëngjes më ka ardh vendimi i ri për pezullim. Ky vendim është komplet i fabrikuar. Në vendimin që e kanë lëshuar vetëm emri është i saktë, asnjë pikë nuk ka mbështetje. Nesër do të bëj kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministrit për shkeljet që po i bën në vazhdimësi.
Në qoftë se i kam bërë gjithë ato shkelje, pse nuk e kanë ndërprerë marrëdhënien e punës, por kanë marrë vendim për pezullim”, ka thënë Rreci për Sinjalin.
Ndërsa në vendimin e djeshëm për rikthimin e Rrecit në pozitën e sekretarit, thuhet se vendimi është marrë duke respektuar një aktvendim të Gjykatës së Prishtinës të datës 9 tetor 2020 dhe të një aktvendimi të Gjykatës së Apelit.
“Bazuar në Legjislacionin në fuqi, si dhe në zbatim të aktvendimit A.nr. 1662/2020 të datës 9.10.2020 të Gjykatës Themelore në Prishtinë/Departamenti për Çështje Administrative, vërtetuar me vendimin AAnr.611/2020 nga Gjykata e Apelit, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e ministrit Vesel Krasniqi.
Gazeta Sinjali raportoi se MTI kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo edhe aty e kishte humbur betejën për zbatimin e vendimit të marrë më 9 shtator.
Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se refuzohet si e pabazuar ankesa e MTI-së, derisa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 09 tetor 2020 vërtetohet.
Kështu, MTI ka shkelur vendimin e Gjyaktës për t’ia dhënë të drejtën Burim Rrecit që të ushtrojë mandatin e sekretarit.
Më poshtë gjeni vendimit e ditës së sotme për pezullimin e Rrecit.