image Rreci dorëzon kallëzim penal ndaj Krasniqit: Ministër hajgarexhi, ka me të dalë në punë rregullisht - Sinjali

Rreci dorëzon kallëzim penal ndaj Krasniqit: Ministër hajgarexhi, ka me të dalë në punë rregullisht

news image

Me një vendim të ri ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, e rikthehu në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të kësaj Ministrie, Burim Rrecin vetëm për një ditë, më 24 nëntor, pasi që një ditë më pas, Krasniqi mori përsëri vendim për pezullimin e tij.

Kështu ai ka shkelur vendimin e Gjykatës së Apelit për t’ia dhënë të drejtën Burim Rrecit që të ushtrojë mandatin e sekretarit. Lidhur me këtë rast Rreci ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, shkruan Gazeta Sinjali.

Beteja mes tyre nuk përfundoi atë ditë, pasi që sot u raportua se ministri është kërcënuar me jetë nga Burim Rreci, i cili e mohoi këtë gjë.

Gazeta Sinjali kontaktoi Burim Rrecin për ta pyetur se si ndodhi ngjarja sot dhe a ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, ashtu siç bëri të ditur për Sinjalin para disa ditëve.

“Sot avokati e ka dërguar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale. Sot në zyrë kam dalë në orën 09:30. Ministria nuk e ka zbatu vendimin e Gjykatës, sepse vendimi për pezullim ndaj meje nuk ka asnjë efekt juridik. Sot i kam njoftuar njësitë policore dhe më pas jam intervistuar.

Unë do të dalë në punë rregullisht, në bazë të vendimit të Gjykatës. Ai nuk ka të drejtë të më pezullojë, ai është ministër hajgarexhi. S’ka me pasë ai mundësi me më largu në këtë formë”, tha Rreci për Gazetën Sinjali.

Në vendimin e datës 25 nëntor  thuhet se pezullimi bëhet për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore, me arsyetimin se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga Rreci pengon hetimin dhe mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij.

Ndërsa në vendimin e një dite më parë, 24 nëntor, për rikthimin e Rrecit në pozitën e sekretarit, thuhet se vendimi është marrë duke respektuar një aktvendim të Gjykatës së Prishtinës të datës 9 tetor 2020 dhe të një aktvendimi të Gjykatës së Apelit.

Gazeta Sinjali raportoi se MTI kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, mirëpo edhe aty e kishte humbur betejën për zbatimin e vendimit të marrë më 9 shtator, pasi që është refuzuar si e pabazuar ankesa.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin