Skuadra rumune, Rapid ka konfirmuar zyrtarisht blerjen e sulmuesit kosovar, Albion Rrahmani nga Ballkani.
Sipas njoftimit nga klubi rumun, sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë të vlefshme për tre sezonet e ardhshme.
Rrahmani ka dhënë edhe intervistën e parë si futbollisti i ri i Rapidit, ku ka thënë se ndjehet shumë i emocionuar për këtë sfidë të re.
“Po ndihem shumë mirë. Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Unë dua t’ua dëshmoj vlerën time tifozëve dhe klubit sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të marr disa paraqitje.
Zgjodha Rapidin për shkak të projektit që synohet të zhvillohet këtu. Është një projekt shumë i mirë dhe e ndjeva se ishte më e mira të isha këtu”, tha Rrahmani për fcrapid.ro.
Rrahmani shënoi 21 gola në ligë në 35 ndeshje për Ballkanin sezonin që shkoi. Ai shënoi 7 herë dhe dha tre asistime në edicionin e fundit të Ligës së Konferencave të UEFA-s, ku Ballkani luajti në fazën e grupeve, duke shënuar edhe një gol në Kupën e Kosovës.
Në sezonin aktual të kupave evropiane, Rrahmani luajti katër ndeshje, dy në Ligën e Kampionëve dhe dy në Ligën e Konferencave, duke arritur të shënojë dy herë dhe të japë tre asistime.