image Ballkani zhvillon sfidën e parë të "Play-Off" sonte, pret skuadrën bjelloruse në "Fadil Vokrri"

Futboll

Ballkani zhvillon sfidën e parë të “Play-Off” sonte, pret skuadrën bjelloruse në “Fadil Vokrri”

news image

Ballkani do të nis sonte garën e“Play-Off” të Ligës së Konferencës për këtë edicion, në tentim për të përsëritur historinë siç bëri sezonin e kaluar, raporton Sinjali Sporti.

Portokallinjtë do të mirëpresin sonte në “Fadil Vokrri” në ndeshjen e parë skuadrën bjelloruse Bate Borisov, në sfidën eliminatore të “Play-Off”, duke synuar kalimin në fazën e grupeve për të dytin vit radhazi.

Interesimi për ta parë këtë duel duket i jashtëzakonshëm, siç e dëshmon fakti që tashmë jo edhe shumë bileta kanë mbetur në shitje.

Ballkani edicionin e kaluar e kaloi këtë pengesë ku ndodhet edhe tani, duke eliminuar skuadrën e Shkupit, për t’u kualifikuar në grupe të Ligës së Konferencës dhe për t’u bërë skuadra e parë kosovare ndonjëherë që arrin në fazën e grupeve të një kompeticioni madhor evropian.

‘Portokallinjtë’ mund ta barazojnë rekordin e tyre të vendosur edicionin e kaluar, për t’i prekur grupet për sezonin e dytë me radhë, nëse triumfojnë pas dy ndeshjeve.

Ndeshja kthyese ndaj Bates do të zhvillohet një javë më vonë, në terren neutral dhe pa shikues për shkak të sanksioneve të FIFA-s dhe UEFA-s të vendosura ndaj Rusisë dhe vendeve fqinje të saj, dhe kësisoj dueli do të zhvillohet në stadiumin hungarez “Mezőkövesdi Városi Stadion”, e cila ka kapacitetin e 4,183 ulëseve, shkruan Sinjali Sporti.

Për të arritur deri këtu, Ballkani e nisi kampanjën e Ligës së Konferencës ndaj kampionit irlandez, Larne, duke i fituar të dyja ndeshjet me rezultat të përgjithshëm 7-1, teksa në raundin tjetër pati punë me skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps, po ashtu duke e mposhtur në të dyja ndeshjet, me rezultat të përgjithshëm 5-1.

/GazetaSinjaliSport/