Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ia ka shtruar një pyetje kryeministrit Albin Kurti. “Pse”. Në një letër publike që mban firmën e kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt, thuhet se Komiteti i Sindikatave Evropiane të Arsimit (ETUCE) dhe Unioni Evropian i Sindikatave të Shërbimeve Publike (EPSU) i kanë shkruar atij duke shprehur pakënaqësinë me deklaratat për sindikatat, ndërsa Kurti nuk u është përgjigjur.
Sipas komunikatës së SBASHK-ut, kryetari i ETUCE Larry Flanagan, drejtorja evropiane e ETUCE-së Susan Flocken dhe sekretari i përgjithshëm i EPSU Jan Willem Goudriaan kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për deklaratat e Kurtit duke i dërguar letër Komisionerit të Bashkimit Evropian për Punë dhe Drejtësi Sociale, Nicolas Schmit që ai ta ngris këtë çështje dhe të ndërmarrë hapa konkret.
“I nderuar Kryeministër Kurti mora një informatë nga Komiteti i Sindikatave Evropiane të Arsimit (ETUCE) dhe nga Unioni Evropian i Sindikatave të Shërbimeve Publike (EPSU) se ju i jeni përgjigjur shkresës së tyre që të kanë dërguar më 9 dhjetor 2021. Na erdhi keq kur kuptuam se ata janë të indinjuar e shumë të pakënaqur me ato që u ke thënë dhe prandaj duke parë se Ju vazhdoni të keni qasje të gabuar për sindikatat dhe tentoni të ndikoni në zgjedhjen e udhëheqjes në SBASHK dhe Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë, kryetari i ETUCE Larry Flanagan, drejtorja evropiane e ETUCE-sw Susan Flocken dhe sekretari i përgjithësim i EPSU Jan Willem Goudriaan kanë shprehur pakënaqësinë e tyre duke i dërguar letër Komisionerit të Bashkimit Evropian për Punë dhe Drejtësi Sociale, Nicolas Schmit që ai të ngrit këtë çështje dhe të marr hapa konkret bazuar në kompetencat që ka”, thuhet në komunikatë.
Aty kryeministrit i thuhet se “qasja juaj ndaj sindikatave dhe tendenca që të ndikosh se kush duhet e kush jo t’i udhëheq ato është e gabuar”, ndërsa shtohet se kreu i Qeverisë pati vlerësime të gabuara dhe të paarsyeshme.
“I nderuari Kryeministër Kurti po ju kujtoj edhe një herë se qasja juaj ndaj sindikatave dhe tendenca që të ndikosh se kush duhet e kush jo t’i udhëheq ato është e gabuar. Nuk qëndron vlerësimi juaj dhe për këtë nuk ke as edhe një argument, kur u paske deklaruar me shkrim zotërinjve Flanagan e Gourdiaan dhe znj. Flocken se deklaratat tuaja për ndryshime në drejtimin e sindikatave nuk duhet të përceptohen në asnjë mënyrë si kërcënim ndaj pavarësisë së atyre sindikatave. U paske shkruar edhe se këta të fundit mund dhe duhet të zgjedhin gjithmonë udhëheqjen e tyre në zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente. Por se drejtuesit aktual të këtyre sindikatave nuk pasqyrojnë vullnetin e vërtetë demokratik të anëtarëve të tyre, përkundrazi, ato u instaluan nga qeveritë e korruptuara, neoliberale të së kaluarës”, shkruan Rrahman Jasharaj në emër të SBASHK-ut.
Më tej, Kurtit i është shpjeguar procesi zgjedhor brenda SBASHK-ut, ndërsa njoftojnë se zgjedhjet e radhës aty mbahen në prill të vitit të ri.
“Kongresi i radhës do të mbahet më 2 prill 2022 dhe prapë në prani të medieve e me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve nga sindikatat mike dhe me përfaqësuesve të lartë të EUCE delegatët me votën e lirë e të fshehtë e në garën mes dy a më shumë kandidatëve do të vendosin se kush do t’i udhëheq në mandatin e radhës dhe i pëlqeu dikujt ajo, njëri nga kandidat serioz edhe për një mandat jam unë Rrahman Jasharaj”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministër Kurti ta lëmë në vullnetin e anëtarësisë e përmes delegatëve të zgjedhur nga ata të vendoset për kryetarin e ri të SBASHK-ut sepse këtë vullnet nuk mund të ndryshojë e mohoj askush, pra as ju si Kryeministër, apo dikush tjetër nga institucionet e Kosovës.”
Kurtit i kërkohet edhe kujdes në komunikim me ndërkombëtarët “që të mos deklarojmë e të mos shkruajmë gjëra të cilat nuk qëndrojnë dhe për të cilat nuk kemi as edhe një argument.”