Katër nxënës në shkollën “28 Nëntori” në Prishtinë janë arrestuar nga Policia gjatë ditës së sotme për shkak të një përleshjeje fizike mes tyre.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas Ahmetit, nga kjo rrahje është lënduar një person, të cilit i është dhënë trajtimi i nevojshëm mjekësor.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një përleshje fizike në mes të disa personave, në një shkollë në Prishtinë. Në këtë rast është lënduar një person, të cilit i është dhënë trajtimi i nevojshëm mjekësor”, tha Ahmeti.
Ahmeti shton se nxënësit e arrestuar, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre është iniciuar rast për veprën – lëndim trupor.