image Rrahja e përgjakshme në Prizren/ Gabriel Thaqi arrestohet nga Policia

Siguri

Rrahja e përgjakshme në Prizren/ Gabriel Thaqi arrestohet nga Policia

news image

Dy muaj pas rrahjes së përgjakshme në picerinë “Proper Pizza”, në Prizren, Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë edhe të dyshuarin e dytë për këtë rast, Gabriel Thaqin, raporton Gazeta Sinjali.

“Në punën operative-hetimore dhe video xhirimeve policia ka identifikuar dy persona të dyshimtë për të cilët kishte ngritur kallëzim penal, njëri ishte ndaluar në mbajtje menjëherë në kohën e incidentit, ndërsa sot, me datë 11 tetor 2021, i dyshimti tjetër i cili kishte qenë në arrati ishte paraqitur pranë prokurorit të lëndës dhe i njëjti është ndaluar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gabrieli kishte qenë në arrati që nga mesnata e 7 gushtit, kur së bashku me shokun e tij, Ymer Krasniqi, dyshohen se kanë sulmuar dy të rinj, të cilëve u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gabrieli dyshohet edhe për posedim të paautorizuar të armës.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.

Gazeta Sinjali pati publikuar pamje dhe detaje ekskluzive nga kjo rrahje, të cilat ndihmuan Policinë në identifikimin e dy të dyshuarve dhe arrestimin e njërit prej tyre.

Gabriel Thaqi, i njohur me nofkën “Gabby” dhe Ymer Krasniqi dyshohen se sulmuan fizikisht dy të rinj që po qëndronin në këtë piceri, rreth orës 01:05 pas mesnatës së 7 gushtit.

Gabrieli dyshohet se ka sulmuar njërin prej të rinjve, të cilin e ka goditur disa herë me boks të hekurit në fytyrë dhe kokë.

Ymer Krasniqi u arrestua nga Policia dhe më 24 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore në Prizren ia caktoi masën e paraburgimit, ndërsa Gabriel Thaqi po vazhdon të mbetet i pakapshëm nga organet e sigurisë dhe drejtësisë.

Ymeri, i cili ndodhet në paraburgim, dyshohet se atë natë në picerinë “Proper Pizza”, bashkë me Gabrielin i ishte afruar tavolinës, në të cilën ishin ulur dy të rinjtë dhe kur “Gabby” fillon ta sulmojë njëri nga të rinjtë, Ymeri e kap me dy duar dhe e rrëzon përtokë shokun e të dëmtuarit.

Në atë moment, ashtu siç konstaton Prokuroria dhe siç shihet në videon e publikuar nga Sinjali, Ymerit i bie një armë zjarri nga çanta, të cilën arrin ta merr nga toka.

Këtë armë ai e mban në duar gjatë gjithë kohës dhe pavarësisht tentimit, njëri nga të dëmtuarit dhe dy persona të tjerë, nuk arrijnë që t’ia marrin.

Duke u larguar nga lokali, Ymeri e repertir armën dhe largohet.

Me këto veprime, Ymer Krasniqi dyshohet se ka kryer dy vepra penale, veprën penale të “Sulmit” dhe atë të “Mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/