Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se procesi masiv i vaksinimit që ka filluar në Kosovë do të ndihmojë rimëkëmbjen ekonomike, transmeton Sinjali.
Rizvanolli ka deklaruar se prioritet i Ministrisë së Ekonomisë është zhvillimi i politikave për sektorin e energjisë në të cilat Kosova ka shënuar ngecje për shkak të politikave të cilat janë aplikuar në të kaluarën.
Ajo ka deklaruar se do të punojnë në minimizimin e ndikimeve negative që mund të kenë në ambient programet të ndryshme të energjisë.
Sipas saj, do të analizohet çdo vendim i cili mund të ketë ndikim në tarifat që paguajnë konsumatorët për energjinë.
“Ndër prioritetet kryesore të ministrisë është sektori i energjisë, i cili ofron zgjidhje shumë të shpejta dhe është në një gjendje të vështirë për shkak të mungesës së vendimeve ose vendimeve të gabuara që janë ndërmarrë dhe jemi kthyer dy hapa prapa gjatë njëzet viteve të fundit dhe gjendemi në një situatë ku duhet të merren vendime të mëdha, ku duhet të bëhet strategjia e energjisë e cila do të ndikojë jo vetëm në sektorin e energjisë, por gjithë ekonominë në dekadat e ardhshme dhe ne kësaj i japim rëndësi të madhe.” është shprehur ajo.
Ministrja e Ekonomisë ka deklaruar se ata do të punojnë në stabilizimin e gjendjes në ndërmarrjen shtetërore “Trepça”, si dhe do të punojnë në planin e digjitalizimit gjatë 10 viteve të ardhshme.
“Në sektorin e minierave e para do të jetë stabilizimi i ndërmarrjes Trepça. Në sektorin e TIK-ut jemi duke investuar në infrastrukturë, por nga ana tjetër edhe në bërjen e politikave për dhjetë vjetët e ardhshme për agjendën e digjitalizimit dhe në zhvillimin e shkathtësive të rinjve”, shtoi Rizvanolli.
Ndryshe, ndërmarrja publike Trepça tash e një kohë të gjatë është duke pasur probleme në funksionim të cilat lidhen kryesisht me menaxhimin, ngase ka pasur ndërrim të bordeve dhe akuzuapër keqpërdorim dhe punësime pa kritere.
Po ashtu ndërmarrja është duke vuajtur edhe nga mungesa e investimeve ku shumica e mjeteve janë pothuajse jashtë përdorimit. Por edhe problemin më të madh e ka edhe me çështjet politike të cilat lidhen me këtë ndërmarrje ngase në Mitrovicën Veriore ajo kontrollohet nga sistemi paralel serb. /Gazeta Sinjali/