image Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës nuk është final, por ne s'mund të ndërhyjmë

Kosovë

Rizvanolli: Propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të rrymës nuk është final, por ne s’mund të ndërhyjmë

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk është përfundimtar, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo tha se Qeveria do të kërkojë sqarime shtesë për këtë vendim dhe do të japë propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Propozimi i ZRRE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se ta shohim këtë raport”, tha ajo.

Sipas saj, kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, andaj, tha se subvencionimi nga ana e Qeverisë është i pashmangshëm.

Rizvanolli tha se ndihma e Qeverisë do ta zbusë shtrenjtimin e rrymës, ndërsa theksoi se ekzekutivi nuk mund të ndërhyjë në vendimet e ZRRE-së.

“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRRE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, tha ajo në një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti./GazetaSinjali/