image Rizvanolli kërkon mbështetje financiare në takimin e ministrave të Energjisë në Berlin

Politikë

Rizvanolli kërkon mbështetje financiare në takimin e ministrave të Energjisë në Berlin

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar përkrahje financiare për Kosovën në takimin e Ministrave të Energjisë të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit, ku po merr pjesë me ftesë të Zëvendës Kancelarit Gjerman dhe Ministrit për Çështje Ekonomike dhe Veprim Klimatik, Robert Habeck.

Ministria përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se Rizvanolli ka ngritur çështjet e nevojat kritike për Republikën e Kosovës për t’u përballur me krizën energjetike evropiane.

“Përballja me këtë krizë ka rëndësi përtej mbrojtjes së klimës e ambientit, e është çështje e sigurisë. Prandaj, hapat që duhet ndërmarrim për t’u përballur me këtë krizë shtrihen përtej kufijve. Për të minimizuar ndikimin e krizës evropiane tek qytetarët e Republikës së Kosovës, Ministrja Rizvanolli ka ri-theksuar nevojën për fonde domethënëse nga Gjermania e Bashkimi Evropian, si dhe ka kërkuar mbështetje e kontribut direkt në zgjerim të masave për efiçiencë të energjisë në sektorin e banimit, ngrohje qendrore, si dhe kapacitete të reja gjeneruese të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se në Berlin ka paraqitur planet, nevojat dhe masat për të përballuar krizën.

“Theksova nevojën për përshpejtim dhe mbështetje shtesë nga dhe mbi efiçencën në sektorin e banesave dhe ngrohjen qendrore”, tha Rizvanolli.

/GazetaSinjali/