Javët e fundit, Kosova është përballur me reshje të vazhdueshme shiu.
Ndonëse për fermerët ka shkaktuar telashe në të mbjellurat, por si rrjedhojë e këtyre reshjeve është rritur niveli i ujit në Liqenin e Badovcit për 35 cm.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal “KRU Prishtina”, Arjeta Mjeku.
“Niveli i ujit në liqenin e Badovcit është 640.35 m mbi nivelin e detit ose 9.50 m nën kuotën maksimale, ndërsa për një javë, pas reshjeve ka pasur rritje prej vetëm 35 cm”, tha Mjeku.
Rritje të nivelit të ujit pati edhe në liqenin e Batllavës. Nivelit i ujit aty është rritur për 1.44 m.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 630.20 m mbi nivelin e detit ose 4.80 m nën nivelin e kapërderdhjes, ndërsa për një javë ka rritje prej 1.44 m”, theksoi Mjeku.
Derisa Mjeku tregoi për nevojën e ujit në ekonomi dhe mirëqenien sociale, ajo bëri thirrje që të ruhen dhe të mbrohen burimet ujore. /Gazeta Sinjali/