Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Albena Reshitaj, në seancën që është duke u mbajtur tani ka shprehur shqetësimin e saj për stomatologët specialistë të cilët janë të papunë, shkruan Gazeta Sinjali.
Reshitaj tha se stomatologët kanë 10 vite shkollim, por që ende nuk kanë arritur që të punësohen në institucionet shëndetësore në vend.
“Stomatologët specialistë në shtetin tonë janë kategori e cila është diskriminuar nga institucionet sa i përket të drejtës për punësim. Ata kanë 10 vite shkollim. Janë hiq më pak se 150 specialistë, të cilët shpesh i shohim edhe në protesta. Ka nga ta që prej se kanë kryer studimet nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre. Në bazë të Ligjit për Shëndetësi, me qëllim të përmirësimit të nivelit të punës, specialistët e licensuar do të punësohen nëpërmjet programit të veçantë”, ka thënë ajo.
Po ashtu, ajo tha se nuk duhet të ketë edhe një pandemi tjetër për ta kuptuar rëndësinë e punëtorëve shëndetësore.
“Ndonëse në vitin 2013-2014 u bë ndarja e specializimeve, kjo u ndërpre. Si institucione e kemi obligim të ju hapim mundësi e jo të ua mbyllim ato. Nuk na duhet edhe një pandemi tjetër që ta kuptojmë rëndësinë e personelit shëndetësor”, theksoi Reshitaj./Gazeta Sinjali/