Biz Markie, reperi nga Nju Jorku, karizma e të cilit e bëri një nga figurat më të veçanta të hip-hop-it, vdiq të premten në moshën 57-vjeçare.
“Me trishtim të thellë njoftojmë se pionieri i hip-hop-it, Biz Markie ndërroi jetë paqësisht, pranë bashkëshortes së tij, Tara”, tha një përfaqësues i reperit përmes një deklarate.
“Biz Markie la një trashëgimi artistike që do të kujtohet përgjithmonë nga kolegët dhe fansat e muzikës së tij. Ai la pas familjarë dhe miq të ngushtë, të cilëve do t’u mungojë personaliteti, shakatë e vazhdueshme dhe batutat e tij të shpeshta”, theksoi ai.
Përfaqësuesi i familjes së muzikantit të njohur, nuk bëri të ditur shkakun e vdekjes, por Markie kishte luftuar shumë me diabetin gjatë viteve të fundit.
I lindur më 8 prill 1964, në Harlem, Markie ishte një figurë kryesore e muzikës hip-hop, i njohur më së shumti me këngën e vitit 1989 “Just a Friend” (Thjesht Mik), që mbetet një element i kulturës pop, ende shumë e dëgjuar në festivalet e repit, bare dhe karaoke./Gazeta Sinjali/