Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar pas raportimit të disa mediave se kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, ka gjashtë vende pune dhe pagë vjetore mbi 50 mijë euro.
Në komunikatën e kësaj zyre thuhet se Lumezi ka vetëm një vend pune dhe si funksion primar e ushtron vetëm pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, derisa sqarohet se është i obliguar të jetë anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
“Rrjedhimisht, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një pagë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./Gazeta Sinjali/
Komunikata e plotë, pa ndërhyrje:
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me anë të këtij sqarimi për media, lidhur me artikullin e publikuar sot më 12.09.2020 në Gazetën Express, me titull “Aleksandër Lumezi me gjashtë vende pune, merr mbi 50 mijë euro të buta në vit”, njofton opinionin publik se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, e ka vetëm një vend pune dhe si funksion primar e ushtron vetëm pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërsa, në bazë të ligjeve në fuqi, Kryeprokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare “ex officio”, e ka për obligim të jetë i angazhuar edhe si anëtar i bordeve institucionale të fushës së drejtësisë dhe sigurisë, përkatësisht mekanizmave që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Rrjedhimisht, Kryeprokurori i Shtetit nga buxheti i shtetit e merr vetëm një pagë.
Ndërkaq nga data 15.03.2018 deri më 15.03.2020 Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka qenë edhe Kryetar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës i propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i zgjedhur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Të gjitha këto angazhime të Kryeprokurorit Lumezi janë në harmoni të plotë me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe nuk përbëjnë konflikt të interesit. Kjo dëshmohet edhe me opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) të dhënë më datë 09.07.2018.
Bashkangjitur gjeni opinionin juridik të Agjencisë Kundër Korrupsionit; https://akk-ks.org/assets/cms/uploads/files/Opinionet/2018/Opinioni%20i%20Agjencis%C3%AB%20drejtuar%20Kryeprokuroris%C3%AB%20s%C3%AB%20Shtetit.pdf