image Reagon Zyra e Presidentes: Osmani nuk e fajësoi Zvicrën për mërgimtarët e infektuar

Politikë

Reagon Zyra e Presidentes: Osmani nuk e fajësoi Zvicrën për mërgimtarët e infektuar

news image

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin zviceran “Blick”, tha se një pjesë e fajit se pse mërgimtarët kosovarë janë infektuar me COVID-19 i takon edhe Zvicrës, pasi që, sipas saj “është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vendet e tjera të bindin për t’u vaksinuar”.

“Ju po flisni për emigrantët kosovarë në Zvicër. Janë shtetas të vendit tuaj, ata duhej të ishin vaksinuar në Zvicër. Është detyrë e autoriteteve zvicerane, që edhe personat me rrënjë nga vende tjera të bindin për t’u vaksinuar. Të gjithë këta persona është dashur të vaksinohen në Zvicër, para se të udhëtonin në Kosovë. Ne deri në gusht kishim një nivel të ulët të infeksionit, vetëm kur erdhën vizitorët nga Zvicra dhe shtetet tjera u rrit niveli i infeksionit”, tha Osmani, në pyetjen se a ndjehet fajtore, që personat e rikthyer nga Kosova kanë sjellë virusin me vete në Zvicër.

Mirëpo, Zyra e Presidencës mohon se përmes kësaj deklarate Osmani ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët e infektuar me COVID-19.

Sipas, këshilltarit për media në këtë zyre, Bekim Kupinës, presidentja vetëm ka apeluar për vaksinimin e të gjithëve.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim të saj për mediumin zviceran ‘Blick’, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimim të të gjithëve. Për më tepër, zonja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë”, shkroi ndër të tjera Kupina në Facebook.

Sipas tij, “devijimi” i deklaratës së Osmanit vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim.

“Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën! Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejtë, por para se gjithash saktë”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/