image Reagon Kusari-Lila për mos-ftesën e Thaçit: Verifikoni në KQZ se kënd e përfaqësoj - Sinjali

Shkrim/ Reagon Kusari-Lila për mos-ftesën e Thaçit: Verifikoni në KQZ se kënd e përfaqësoj

news image

Për takimet e zhvilluara të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar kryetarja e partisë Alternative, Mimoza Kusari-Lila, ku ka thënë se presidenti i vendit nuk po e konsideron të denjë zyrtarisht një grua, kryetare të partisë Alternative, ish-zëvendëskryeministre për ta ftuar në takim.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kusari-Lila, ka shkruar se presidenti i vendit i kishte karakterizuar burrat, kryetarët e partive të cilët i kishte ftuar në takim, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët, ndërsa atë nuk e kishte konsideruar të denjë për takim edhe pse ishte ish-zv/kryeministre e Kosovës.

“Sot e kuptova se Presidenti i vendit nuk e konsideron të denjë zyrtarisht një grua Kryetare të partisë Alternative, ish – zv/Kryeministre me titull ashtu si i kishte karakterizuar burrat kryetar të partive që i kishte ftuar, me tituj të posteve që i kanë mbajtur më herët”, ka shkruar Kusari-Lila.

Kryetarja e partisë Alternative, ka shkruar për mos-ftesën në takim të Thaçit, duke e cilësuar si jo-unifikues.

“Nëse Presidenti i vendit e konsideron veten dhe rolin e tij si faktor unifikues për vendin, atëherë sot si shumëherë tjera ai dhe kabineti i tij e treguan se çdo gjë mund të jenë, vetëm unifikues jo. Nuk e di se çfarë mund të ishte aludimi i tyre për këtë mosftesë, por duke e ditur se gjithmonë sigurohen të jenë të “mbuluar me letra”, i këshilloj të verifikojnë në KQZ kënd e përfaqësoj unë”, ka shkruar Kusari-Lila.

Kryetarja e kësaj partie po ashtu ka theksuar se edhe pse janë parti e vogël dhe e re, në raste të caktuar mund të ketë ndikim të madh në ndryshimet në Kosovë.

Presidenti ka takuar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, Kadri Veselin nga PDK, Ramush Haradinajn nga AAK, Fatmir Limajn nga Nisma, Listën Serbe dhe ka zhvilluar bisedë telefonike me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: