image Punëtorit të RTK-së që kishte përfituar 472 mijë euro i ishte konfiskuar shtëpia dhe Land Rover-i

Drejtësi

Punëtorit të RTK-së që kishte përfituar 472 mijë euro i ishte konfiskuar shtëpia dhe Land Rover-i

news image

Gjatë ditës së djeshme u raportua për një skandal, ku Radio Televizioni i Kosovës i ka paguar mbi 472 mijë euro për pesë vjet një kompanie që s’i ka ofruar asnjë shërbim. Gjithë kjo ka ndodhur shkaku i mungesës së një “R-je”, ku në vend të KRU “Pastrimi”, paratë i kanë shkuar kompanisë “Pastimi”.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, ku ka bërë të ditur se për të njëjtin person me inicialet B.Sh., ishte pranuar kallëzim penal në fund të muajit qeshor të 2013.

Për këtë rast, ishte ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2014.

Në këtë çështje të akuzuarit, B.Sh., i ishte konfiskuar shtëpia dhe vetura e tipit “Land Rover”.

Njoftimi i plotë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e një punëtori të RTK-së, i cili kishte përfituar të holla përmes kompanisë “Pastimi”, ashtu që, ju bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28.06.2013, ka pranuar kallëzim penal nga policia kundër personit me inicialet B.Sh. Lidhur me këtë çështje penale, prokurorja e rastit ka marrë aktvendim për fillim të hetimeve më 04.07.2013 dhe pas ndërmar​rjes së një mori veprimesh nga ana e saj, më 11.08.2014, ka ngritur aktakuzë kundër personit të lartcekur, në drejtim të veprave penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 të KPK-së dhe “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 426 të KPK-së.

Në këtë çështje penale, të lartcekurit i është konfiskuar shtëpia e banimit dhe automjeti i tipit “Land Rover”.

Prokurori i shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës ndaj të pandehurit B.Sh., të njëjtën e ka proceduar në gjykatën kompetente për trajtim të mëtejmë. /GazetaSinjali/